Maqedoni

Fetai: Arritje përfundimtare të përfaqësimit të drejtë në administratë duhet të sjellë ligji i ri

Grupi punues për përgatitjen e ligjit për përfaqësim të drejtë deri më tani ka mbajtur tre takime, zgjidhja e re ligjore do të përgatitet më pas do të dorëzohet në procedurë parlamentare, deklaroi zëvendëskryeministri i Qeverisë përgjegjës për qeverisje të mirë.

“Siç e dini, tashmë ka konsultime brenda Qeverisë, megjithëse ka pasur disa mesazhe kontradiktore, sërish është krijuar një grup pune që do të punojë për një zgjidhje të re ligjore për përfaqësim të barabartë dhe të drejtë, me qëllim që pas 22 vitesh ajo që është arritur si një marrëveshje, definitivisht të zbtihet dhe të arrihet ai përfaqësim i drejtë në administratën publike. Unë si përfaqësues i VLEN-it, tashmë kam marrë pjesë në tre takime në këtë drejtim, që të koordinohemi rreth zgjidhjes së re ligjore e cila më pas do të dorëzohet në procedurë parlamentare, do të ketë debat publik për këtë, dhe shpresojmë shumë se do të gjendet zgjidhja më e përshtatshme”, deklaroi Fetai i cili sot mori pjesë në Platformën Rajonale Veber për Reformën e Administratës Publike, organizuar nga Instituti për Politika Evropiane – EPI, nga Shkupi.

Sipas tij, një gjë është çështja e balancuesit, tjetër është çështja e përfaqësimit 20 për qind në Kushtetutë.

“Lidhur me balancuesin dua t’ju kujtoj se edhe qeveria e mëparshme në kuadër të strategjisë për reformë në administratën publike tashmë kishte marrë një vendim për heqjen e balancuesit, dhe Gjykata Kushtetuese e miratoi këtë vendim. Edhe në kuadër të Qeverisë tashmë ka marrëveshje për miratimin e ligjit të ri për përfaqësim të drejtë dhe të barabartë të komuniteteve. Ju e dini që balancuesi ishte një mekanizëm për të arritur atë përfaqësim të drejtë, por ishte një mekanizëm që shpesh keqpërdorej, si nga institucionet publike ashtu edhe nga qytetarët. Kemi raste se si janë keqpërdorur deklaratat për përkatësine etnike, si nga maqedonasit që janë paraqitur si shqiptar, ashtu edhe nga shqiptarët që janë paraqitur si maqedonas”, tha Fetai.