Falja/ LSDM kërkon dorëheqjen e Siljanovskës, Mickoski: Njeriu i gjallë gabon, kjo temë le të mbyllet këtu
Është e qartë se Qeveria mendon se Komisioni për Falje duhet të bëhet “kurban” që të shpëtohen Siljanovska dhe porositësit e këtyre faljeve skandaloze, reagojnë nga LSDM-ja. Sipas tyre, duhet të ketë përgjegjësi për Presidenten dhe porositësit e amnistive.
“Presidentja Siljanovska vendos për faljet, e jo komisioni dhe përgjegjësia e plotë është e saj. Për faljet skandaloze patjetër të ketë përgjegjësi edhe për Siljanovskën edhe për porositësit.
Në Prill 2023, Presidentja hungareze, Katalin Novak, u dorëhoq për shkak të skandalit me faljen e një personi. Siljanovska amnistoi narko-bosin dhe kriminelë të dënuar të implikuar në afera spiunimi.
A janë Hungaria dhe Orbani modeli që ndiqet nga Hristijan Mickoski?
Ja, sipas shembullit të Hungarisë, Siljanovska le ta merr përgjegjësinë, le të dorëhiqet” – thonë nga LSDM.
Mickoski: Njeriu i gjallë gabon, kjo temë le të mbyllet këtu
Në konferencën e sotme për media pas nënshkrimit të kontratës nga kësti i parë i projektit 250 milionë euro për investime kapitale nëpër komuna, kryeministri Hristijan Mickoski për vendimin e Komisionit për Falje, i cili dje dha dorëheqje kolektive, tha “një njeri i gjallë që di të bëjë gabime”.
“Një njeri i gjallë që punon di të bëjë gabime. Kur konstatohet gabimi, nëse merret përgjegjësi, atëherë është edhe i virtytshëm dhe kështu mund të komentoj vendimin e anëtarëve të Komisionit që trajton tema nga lëmia e faljes. Gabimi u konstatua qartë dhe e vetmja gjë që kanë si akt moral është tërheqja, kështu bënë. Pra pres që kjo temë të mbyllet publikisht këtu”, thotë Mickoski.
Me dorëheqjen e komisionit, tashmë presidentja Gordana Siljanovska-Davkova duhet të emërojë anëtarë të ri.