Maqedoni

FADIL SULEJMANI, baba dhe hero i Universitetit të Tetovës

Shkruan: Salih Kabashi

Fadil Sulejmani themeloi dhe për shumë vite edhe e udhëhoq Universitetin e Tetovës.

Në nismën dhe në këmbënguljen e tij për të ngritur Universitet në Teovë nuk pati shumë shokë.

Univeristetin e shpallur nga ai e pat shpallë të jashtëligjshëm si dhe e pat dhunuar e përgjakur sistematikisht qeveria maqedonase, në të cilën kishte edhe shqiptarë.

E shikoi me përbuzje e ashtuquajtura elita politike dhe kulturore shqiptare e Maqedonisë.

Kundër hapjes së këtij universiteti ishin edhe figura si Ismail Kadare dhe Arben Xhaferi. I dyti e donte, por fillimisht i dukej i mjaftueshëm Universiteti eksistues maqedonas i Shkupit, ku, thoshte, do të hapeshin degë në gjuhën shqipe.

Kundër Universiteit të Tetovës ishte edhe elita politike dhe në një masë të turpshme edhe ajo kulturore e Kosovës dhe e Shqipërisë.

Është e çuditshme, ndoshta jo: titullin Doctor Honoris Causa të Universitetit të Tetovës e mori, luftoi për ta marrë, edhe pa fije turpi, Ismail Kadareja! Ai që ishte kategorikisht kundër themelimit e funksionimit të tij! Ismail Kadareja që i shihte aq me përbuzje dhe që i konsideronte gati-gati joshqiptarë ata që donin liri e universitet shqiptar në Maqedoni!

Universitetit të Tetovës patën qenë edhe disa nga politikanët shqiptarë në Maqedoni. Ishin kundër ata që më vonë u bënë faktorë politikë në Shkup. Kur Universiteti i përgjakur u bë realitet, po këta ngarendën që atje të ndrrojnë rektorin, stafin udhëheqës dhe profesorët në mënyrë që vetes t’i sigurojnë diploma fakulteti me studime njëmujore me model diplomat “Te Plepat” nga koha e presidencës së Sali Berishës në Tiranë…

Fadil Sulejmani e pati shumë vështirë. Pat deklaruar pak më vonë me dhimbje se më shumë telashe i kishin nxjerrë e më shumë kurthe i kishin ngritur atij dhe Universitetit disa nga intelektualët e politikanët shqiptarë se sa vetë pushteti sllav i Shkupit…

Për Universitetin e Tetovës dhe mëkëmbjen e tij është derdhur gjak. Ky universitet ka dëshmorin e tij, Abdylselam Eminin, të riun e vrarë nga policia maqedonase në demonstratën kundër mbylljes e ndalimit.

Ndërsa babai dhe Heroi i këtij Universiteti ishte dhe mbetet Fadil Sulejmani.

Në 18 vjetorin e hapjes së UT ai pat deklaruar:

“Ky universitet ka një histori sa të lavdishme e të bujshme aq edhe të hidhur e të dhimbshme, meqë për lindjen dhe ngritjen e këtij universiteti shqip u derdh shumë lot, gjak e djersë; pati shumë shpenzime financiare dhe dëme materiale, maltretime, ndjekje, rrahje, arrestime, izolime, burgosje dhe vrasje të shqiptarëve; u bastisën, u plaçkitën dhe u rrënuan shumë shtëpi të tyre vetëm e vetëm pse ne deshëm të mësojmë, të lexojmë e të shkruajmë në gjuhën tonë amtare shqipe.»

Fadil Sulejmani ka qenë profesori im i Sintaksës në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Më vonë u bëmë miq dhe bashkëpunëtorë. E kam krenari afrinë time me të. Revista ime “Republika”, pas themelimit të Universitetit të Tetovës, në mbështetje të votave të lexuesve, profesor Sulejmanin e pat shpallë Personalitet të Vitit.

Profesori Fadil Sulejmani vdiq më 11 shkurt 2013 në Prishtinë dhe u varros në Tetovë.

Ai do të ngelë i pavdekshëm me kryeveprën e tij me rëndësi historike kombëtare të quajtur Universitet i Tetovës.

Ai Universitet do të duhej ta merrt emrin e themeluesit të tij të lavdishëm e të rektorit shumëvjeçar Fadil Sulejmanit.