Maqedoni

EVN: Në Gërçec rryma shfrytëzohet ilegalisht, po gërmojnë edhe bitkoina

Nga EVN- Maqedoni kanë reaguar pas protestës së banorëve të fshatit Gërçes në Saraj të Shkupit.

Nga kjo kompani thonë se gjatë tentimeve për të përmirësuar rrjetin në këtë fshat, punonjësit kanë hasur në ofendime dhe kërcënime me jetë ndërsa arsye tjetër për ndaljen e rrymës sipas tyre është edhe mbingarkimi i rrjetit me gërmim të kriptomonedhave.

“Elektrodistribuimi vazhdimisht gjatë shumë viteve ka bërë investime të mëdha dhe mundohet të bëjë rekonstruimin e rrjetit në Gërçec, por ekipet gjithmonë hasin në ofendime dhe kërcënime për jetën, si dhe kërcënime për shkaktim të dëmeve materiale nga ana e banorëve. Defektet në këtë fshat ndodhin si rezultat i mbingarkimit të rrjetit nga vetë banorët të cilët ilegalisht shfrytëzojnë energjinë elektrike për nevojat e tyre si dhe për gërmimin e bitkoinave. Pas shfaqjes së defekteve, banorët edhe pse lajmërojnë se nuk kanë energji elektrike, prapëseprapë nuk i lejojnë ekipet e Elektrodistribuimit ta sanojnë defektin. Elektrodistribuimi edhe pse vazhdimisht investon në resurse materiale dhe njerëzore me qëllim të zgjidhjes së problemit në Gërçec, përsëri tentimet dështojnë sepse banorët nuk lejojnë që të punohet në asnjë mënyrë”, thuhet në njoftimin e EVN-Maqedoni.

Ndryshe, pasditen e sotme banorët e fshatit Gërçec kanë bllokuar autostradën Shkup-Tetovë në shenjë proteste pasi sipas tyre, tashmë një javë në këtë fshat nuk ka rrymë elektrike.