June 26, 2024
Maqedoni

Është hequr masa e çmimeve të garantuara, tregtarët paralajmërojnë ndryshime çmimesh

Në marketet e vendit nuk do të ketë më çmime të garantuara të produkteve bazë. Kjo ka rritur shqetësimin e qytetarëve për mundësinë e rritjes enorme të çmimeve, siç ishte para vendimit të Qeverisë për çmime të garantuara.

Qytetarët e anketuar thonë se aktualisht çmimet e produkteve në markete janë të njëjta, por presin rritje të çmimeve në ditët në vijim.
“Për momentin jo, por mesa dëgjova thanë që do t’i rrisin çmimet, por nuk e kanë të caktuar akoma.”, – tha një qytetar.

“Ndoshta do të ketë rritje të çmimeve, por veç më e kanë arritur kulmin.”, – tha një qytetar tjetër.

“Çmimet dhe rrogat këtu janë katastrofë. Duhet të ulen çmimet.”, – u shpreh një qytetar.
“Jo, ende s’ka rritje, çmimet duhet të ulen, por po rriten.”, – u shpreh një qytetar tjetër.
“Çmimet duhet të jenë reale.”, – theksoi një qytetare.

Tregtarët, sipas informacioneve të furnizuesve, paralajmërojnë rritje të çmimit të produkteve të qumështit, mishit, disa pijeve, produkteve bujqësore, pasi masa për lirim nga dogana nuk vlen më.

“Do të ketë lëvizje të çmimeve në pjesën ku Qeveria gjatë periudhës së kohëzgjatjes së masave ka hequr dorë nga para të caktuara. Kjo ishte sepse nuk kishte doganë për taksa gjatë importimit të pemëve dhe perimeve nga Greqia, Turqia, Shqipëria dhe Serbia, sepse ne jemi importues të varur nga këto shtete.”, – theksoi tregtari, Trajçe Sazdovski.

Pritjet e ministrave përkatës janë miratimi më i shpejtë i Ligjit për praktikat e padrejta tregtare dhe sjelljen morale të tregtarëve. Sipas ekonomistëve, edhe nëse ligji kalon në lexim të parë në Komisionin për Çështjet Evropiane, do të duhen 6 muaj për të ndjerë efektet e tij.