Maqedoni

U arrestua një trafikant droge nga Kumanova, sulmoi edhe një polic

Prokuroria Themelore Publike Kumanovë ka iniciuar hetime kundër një të dyshuari 19-vjeçar për veprën penale – Prodhim dhe vendosje e paautorizuar në treg të narkotikëve dhe substancave psikotrope nga neni 215 paragrafi 1, por edhe Sulm ndaj zyrtarit gjatë kryerjes së punëve të sigurisë, sipas nenit 383 paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.

Më 25 mars, gjatë kontrollit personal të të dyshuarit para banesës ku banonte, policia gjeti rreth 10 gramë marijuanë të cilën paraprakisht e kishte blerë nga një person i panjohur, të paketuar në shtatë pako më të vogla dhe të destinuara për shitje të mëtutjeshme. Gjatë kontrollit të tij, ai ka nxjerrë një thikë nga xhepi dhe ka kërcënuar punonjësit e policisë, ndërsa me dorëzën e thikës ka goditur njërin prej policëve duke e plagosur.

Prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin, ndërsa Gjykata Themelore Kumanovë e ka pranuar propozimin dhe i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.