Escobar: SHBA-ja mbështet plotësisht pavarësinë e Kosovës dhe integritetin territorial të saj
I dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka përsëritur se SHBA-ja mbështet plotësisht pavarësinë e Kosovës dhe integritetin territorial të saj.
Escobar në konferencë për media ka thënë se SHBA-ja mbështet dialogun dhe integrimin e gjithë Ballkanit Perëndimor në BE.
“Nga perspektiva amerikane, dua të them se SHBA-ja e përkrah plotësisht pavarësinë e Kosovës, integritetin territorial të saj. E keni treguar se jeni partner solid, mik i mirë dhe ju falënderojmë për këtë. Për Kosovën e rajonin, shohim mundësi të jashtëzakonshme. Jeni evropianë, jeni ekonokimisht, në aspekt kulturor dhe historikisht evropianë. Kemi punuar me kolegët evropianë që ta njohin Ballkanin Perëndimor si mundësi të jashtëzakonshme e jo si rrezik. Ne inkurajojmë gjitha palët që ta shohin Ballkanin Perëndimor si anëtar potencial të ardhshëm. Procesi i dialogut ka mbështetjen tonë të plotë dhe duhet të drejtohet nga BE-ja, sepse bëhet fjalë për BE-në. Por derisa lëvizni drejt BE-së, ju gjithashtu duhet të jeni miq të ngushtë me SHBA-në, sepse është një miqësi transatlantike dhe procesi i dialogut do të jetë në mbështetje të plotë nga SHBA-ja dhe në afërsi të SHBA-së”, ka thënë Escobar, ndërsa ka premtuar përkrahjen e plotë të SHBA-së.