BallinaMaqedoni

Era e fortë rrëzoi drunjtë në Kumanovë, rrëshqitje dheu në Likovë (Foto)

Shi i rrëmbyeshëm prej 38 litrave për metër katror, ​​i përcjellë me bubullima, breshër i vogël dhe erë e fortë ka goditur sot pasdite Kumanovën. Sipas informacioneve të Qendrës Rajonale për Menaxhimin e Krizave, në bulevardin “Brigada e Tretë Maqedonase” është raportuar për një konstruksion metalik të rrëzuar nga era e fortë, kurse në rrugën “Tode Dumba” ka rënë kulmi i një objekti, transmeton portali lideri.mk, e në disa lokacione nuk ka pasur energji elektrike.

Pas stuhisë, ekipet e ndërhyrjes emergjente të NP “Pastrim Gjelbrim” kanë nisur menjëherë pastrimin dhe sanimin e pasojave. Ekipet ende janë në disa lokacione në Kumanovë, përfshirë në bulevardin Revolucioni i Tetorit, ku po pastrojnë kanalet e bllokuara dhe depozitat.

Përkundër reshjeve të shiut, në Kumanovë ka pasur disa zjarre të vogla, ndërsa në QRMK Kumanovë raportohet për dy rrëshqitje të dheut në zonat rurale, transmeton lideri.mk edhe atë njëra në rajonin e Likovës, e tjetra në Staro Nagoriçane.

Reshje më intensive pasditen e sotme përveç në Kumanovë ka pasur edhe në Probishtip të Kratovës, si dhe në zonën ndërmjet Shtipit dhe Sveti Nikollës./Lideri