Maqedoni

Ende nuk ka përgjigje se kush është fajtor për zjarrin në spitalin modular në Tetovë

Kanë kaluar 3 muaj dhe ende nuk ka përgjigje se kush e ka fajin për zjarrin në spitalin modular në Tetovë ku humbën jetën 14 persona, pacientë dhe familjarë të pacientëve.

Procedurën që po e udhëheq Prokuroria është në fazën e parahetimore, ndërsa gjatë gjithë kohës po merren në pyetje dëshmitarë që kanë informacione për ngjarjen. Ekspertizat kanë përfunduar dhe po ashtu pritet edhe raporti gjerman.

Në pyetjen e “A1on” nëse mendimi i hetuesve gjermanë do të mund të përdoret për ndonjë procedurë eventuale gjyqësore, nuk ka përgjigje konkrete.

“Pritet ekspertiza e ekspertëve gjerman ku u kërkua ndihmë juridike ndërkombëtare dhe kjo paraqet segment të rëndësishëm për vërtetimin e gjendjes faktike”, thonë nga Prokuroria.

Kujtojmë se deri tani ka pasur tre ekspertiza. E para është e MPB-së, e dyta e Fakultetit Teknologjik dhe e treta nga elektroinxhineri rreth instalimeve të spitalit.

“Raportet kanë ardhur në prokurori dhe po analizohen në korealicion me dëshmitë tjera. Në ndërkohë po merren në pyetje dëshmitarë dhe persona të tjerë që kanë infromacione rreth ngjarjes”, thonë nga Prokuroria.

Ndryshe, në aksidenti tragjik në spitalin e Tetovës humbën jetën 14 persona të cilët ishin pacientë të infektuar me coronavirus si dhe anëtarë të tyre që kanë qenë për momentin në spital.