Maqedoni

Ende asnjë hap për riparimin e dëmeve nga vërshimet në lagjen Hasanbeg të Shkupit

“Edhe pesë vite pas vërshimeve në Lagjen Hasanbeg të Shkupit, shumica e rrugëve nuk janë riparuar. Madje duken edhe si në mesjetë. Por ka edhe rrugë që me dekada qëndrojnë në gjendje të tillë, pa kanalizim, pa asfalt e të mbuluara nga balta”

Në gjendje të këtillë është edhe rruga numër 15, e cila siç thonë banorët, për 60 vite gjithçka kanë ndërtuar me vet kontribut, ndërsa nga komuna vetëm kanë bërë premtime dhe e kanë shkatërruar atë që është ndërtuar nga vetë banorët. Madje vetëm duke sjellë makineritë para zgjedhjeve, e duke i larguar menjëherë pas përfundimit. Ata thonë se pas përfundimit të zgjedhjeve kryetari i Komunës Boris Georgievski është i pakapshëm për ta.

“Po na ka premtuar Borçja, Oliveri i ka thënë nëse nuk e përfundon këtë punë për 6-7 muaj, unë kam me e mbyll Borçen. A e sheh atë asfalt atje e kemi rregulluar me paret tona”

“Prej partive tona shqiptare, askush nuk na ka vizituar. Zaevi ka qenë me gjithë Borçen edhe ka thënë këtë rrugë do ta ndërtojmë ne, edhe më kush nuk na ka vizituar këtu… Prej tek transformatori kur të kthesh në anën e majtë me gypa të ri i kanë vendosur, me asfalt të ri, me kanalizim me të gjitha”

“Nuk ka kanalizim, që është më e keqja, kanalizimin e kanë filluar prej tek transformatori e deri këtu, e prej tek shtëpia ime deri tek rruga. E kanë ndarë në dy pjesë. E dini si janë në fushata parazgjedhore, gjoja se po punojnë diçka. E sillnin aparaturën këtu, e brenda disa ditëve e merrnin me vete e shkonin… Nëse nuk u përgjigjen kërkesave tona ne mendojmë që të në ardhmen të ndërmarrim masa edhe më radikale, që të vijë deri tek bllokimi i rrugës këtu, do të thotë që shkon prej Stajkovcës në pjesën tjetër të qytetit”

Në gjendje edhe më të mjerueshme është rruga tek xhamia e re në Hasanbeg. Banorët thonë se është hapur para vitit të ri dhe është lënë në këtë gjendje.

“Tashmë katër muaj që e kanë lënë kështu, ende pa rënë bora… Hiç nuk mund të kalojmë kurrqysh, këndej nuk kalojmë kurrë”

“Shko nëpër vende ku janë maqedonasit shikoje se si i kanë rregulluar. Ndërsa tek ne shikoni si i kanë lënë. Atje e kanë prerë asfaltin kryesor. A gjuhet tamponi pa e shtypur e pa e drejtuar rrugën për njerëzit, e pastaj i presin gomat. E për çka paguajmë regjistrim për veturat”

“A e sheh sikur peshqit kur lahen. Fëmijët në shkollë si shkojnë? Po shkojnë nëpër ujë, ja këpucët krejt lloç i ka”

Përkundër tentimit disaditor, kreu i Komunës së Gazi Babës ishte i pakapshëm për tu përgjigjur.

Mefail Ismaili