Emision për Bezistenin e Shkupit: “Është aq i bukur, sa që as gjuhët dhe as penat nuk mund ta përshkruajnë“
Sot për programin dokumentar të TVM2-shit të autores Zyrijeta Hajro Jajaga, e prezantova Bezistanin, i cili gjendet në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Ky objekt specifik, i ndërtuar në shekullin XV dhe i rindërtuar në vitin 1900, edhe sot e luan rolin utilitar dhe polivalent duke qenë në shërbim të qytetarëve, ku përveç se janë vendosur zyrat e vakëfit, aty janë vendosur lokale afariste, kulturore, edukative dhe turistike. Ndryshe Bezistenet kanë qenë objekte impozante të ndërtuara kryesisht nga gurët. Fjala bezisten vjen nga fjala arabe “bezz” që do të thotë “pëlhurë” dhe fjala e dytë “istan” që do të thotë “vend shitjeje”. Kjo do të thotë se këto objekte kanë qenë të destinuara vetëm për tregti – shitje pelhurës, mëndafshit dhe prodhime tekstile.
Evlija Çelebiu, udhëpërshkruesi i njohur i shekullit XVII, kështu e përshkruan bezistenin e Shkupit: “Aty ka një bezistan aq të bukur, sa që as gjuhët dhe as penat nuk mund ta përshkruajnë. Ai është si një kala e fuqishme me dyer jeshile nga hekuri dhe është e ndërtuar me kupola. Tregtarët që punojnë në këtë bezistan për mysafirët ndezin temjan dhe i spërkatin me ujë trëndafili. Këtu, truri i njeriut dehet nga aroma e lules moshus, rubaia, ambra kjamfor dhe zymbyl”. (Behixhudin Shehapi)