Emin Gaxha letër të hapur kundër ministres së kulturës Stefovska: Më thatë mos postoni në FB për kulturën shqiptare ngase keni presion nga BDI
Artisti i njohur shkupjan Emin Gaxha i ka dërguar një letër të hapur ministres së kulturës Irena Stefoska. Në letrën Gaxha rrëfen për shkarkimin e tij nga posti i Kryetarit të Komisionit për Folklor, si dhe për konfliktin mes tij dhe ministres.
Gaxha thotë se krisja mes tyre ka ndodhur në momentin kur gjatë nënshkrimit të mandatit të tij, nga ministrja i është urdhëruar që të mos shkruaj në facebook për problemet që janë në kulturë, posaçërisht për atë shqiptare.
“Kjo për shkak se keni presion të madh nga BDI që të më shkarkoni, ngase hapur kam folur se kush janë fajtorët për nivelin ku është për momentin kultura. Paramendoni, unë jam shqiptari i vetëm i cili në 10 komisionet e juaja arriti të sigurojë 35% për kulturën shqiptare për folklorin ngase komisionet tjera nuk mundeshin të arrin as deri tek 25%. Por kisha argumentet të fuqishme se përse duheni të hiqni dorë nga ai numër i kufizuar prej 25% për shqiptarët. Unë disa herë ju kam bindur dhe jam grindur me ju, ndonjëherë me tone edhe më të larta se duhet të na jepni më tepër mjete edhe për ne shqiptarët që të arrijmë nivelin si Tanac”, shkruan Emin Gaxha.
Ai shkruan se ka reaguar çdoherë që ta shpëtojë kulturën shqiptare dhe të reagojë në qeveri për gjitha keqpërdorimet që janë bërë.
“Të kam lutur çdo takim, të lutem shpëtoje kulturën shqiptare dhe reago në qeveri, trego se çfarë po ndodhë në ansamblin shtetëror… tregojë për sekretarin shtetëror Valmir Aziri i cili mund të jetë gjithçka por kulturë asnjë… por ndaj gjithë kësaj ju mbetet e heshtur dhe për këtë shkak tani dal hapur kundër jush, shkarkojeni këtë grua se nuk di, lëshoni revizion shtetëror, aktivizojeni antikorrupsionin dhe gjithçka do ta keni të qartë. Ministre nëse nuk të shkarkojnë do të jemi shumë të organizuar kundër teje, më besoni jepni dorëheqje kursejeni kryeministrin e ri”, shkruan më tej Gaxha.