EMA mbështet vaksinën Johnson & Johnson
Agjencia Europiane e Barnave (EMA) tha sot se përfitimet nga vaksina Johnson & Johnson i tejkalojnë rreziqet, pavarësisht gjetjes së lidhjeve të mundshme me raste shumë të rralla të mpiksjes së gjakut.
EMA hetoi një lidhje midis mpiksjeve potencialisht vdekjeprurëse të gjakut dhe vaksinës pas tetë rasteve në SHBA, nga të cilat një ishte fatale.
Komiteti i sigurisë i EMA-s tha se “duhet të shtohet një paralajmërim në informacionin e produktit në lidhje me efektet anësore shumë të rralla dhe profesionistët e kujdesit shëndetësor duhet të informojnë pacientët e tyre në lidhje me simptomat”.
Autoritetet amerikane e pezulluan përdorimin e vaksinës javën e kaluar, pas vaksinimit të rreth shtatë milionë personave.
Kompania amerikane Johnson & Johnson ndaloi dërgimin e vaksinave të saj në BE ndërsa ishte në pritje të sqarimit të çështjes.
Sidoqoftë, EMA, përgjithësisht, qëndroi pranë vlerësimit të saj të mëparshëm, duke përsëritur se përfitimet nga vaksina në parandalimin e Covid-19 tejkaluan rrezikun e efekteve anësore.