Maqedoni

Ekspertët: Qeveria e re duhet tu reket seriozisht reformave në më shumë fusha

Qeveria e re duhet seriozisht t’u reket reformave në sektorin gjyqësor, shëndetësi, arsim dhe administratë publike. Në gjashtë muajt e parë të qeverisë duhet të vendosen udhëzimet se si do të bëhen ato reforma, thotë profesori Borçe Davitkovski. Davitkovski nuk është shumë optimist se gjërat mund të ndryshojnë rrënjësisht, por thotë se duhet t’i jepet shans.

“Duhet të rishqyrtohet tërësisht roli i Këshillit gjyqësor dhe ai i Këshillit të prokurorëve, si dhe Akademia për Gjykatës, nëse ajo Akademi i ka përmbushur pritshmëritë. Për mendimin tim, duhej të shkonte gjysmë-gjysmë. Gjysma duhej të ishte nga bashkëpunëtorët profesionistë në gjykata, që i shkruajnë aktgjykimet, por nëse nuk kanë lidhje nuk mund të regjistrohen në Akademi dhe kështu nuk mund të konkurrojnë për gjykatës”, tha Borçe Davitkovski – profesor.

Shteti është përballur edhe me aktvendime të vjetruara ligjore. Në Maqedoni deri tani janë sjellë ligje që janë në kundërshtim me drejtësinë dhe etikën.

“E drejta civile është harruar. Pas 13 vitesh duhet të miratohet Kod Civil i Maqedonisë, i cili rregullon marrëdhëniet e qytetarëve. Nga ana tjetër, duke miratuar ligje as nuk është pyetur praktika gjyqësore, as ata që zbatojnë ligjin, duke ulur afatin e vjetërsimit, ne i bëjmë atentat drejtësisë”, u shpreh Angel Ristov – kryetar i Institutit Juridika Prima.

“Duhet të bëhen reforma në fushën e drejtësisë, në fushën e Këshillit Gjyqësor Republikan, Këshillit të Prokurorëve Publikë. Është e qartë se nga të gjitha anët dhe nga Evropa, dhe ne e dimë se gjyqësori nuk funksionon siç duhet dhe këtu duhet të bëhen reforma”, deklaroi Arsen Janevski-profesor.

Ndryshe, besimi i qytetarëve në gjyqësor është vetëm 2%. Për këto tema debatohet në Ohër në konferencën e dhjetë vjetore me titull “Sfidat e së drejtës në shekullin 21”. /Alsat.mk