July 1, 2024
Kosovë

EKSKLUZIVE / Spiunët e arrestuar dhe BIA serbe patën bisedime një ditë pas sulmit në Banjskë

Në një operacion të Policisë së Kosovës këtë javë u arrestuan dy persona të dyshuar për spiunazh në bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës Serbe (BIA).

Bisedat mes spiunëve dhe BIA-s serbe ka ndodhur vetëm një ditë pas sulmit në Banjskë, sipas burimeve brenda organeve të sigurisë ekskluzive nga Dukagjini.

Por, sa i përket rastit të arrestimit të dy të dyshuarve për spinuazh, Bedri Shabani e Muharrem Qerimi, fillimisht hetimi për ta ka nisur diku afër 3 vjet më parë.

Informacioni i parë sipas burimeve të televizionit Dukagjini, ka ardhur tek Agjencia e Inteligjencës, nga një shërbim partner i shtetit të Kosovës. Më pas specialistët e AKI-së u janë vënë në gjurmë.

I kanë përcjellur dy të dyshuarit, të cilët kanë vepruar si ndaras, pra duke e pasë një shef të përbashkët por duke vepruar të ndarë.

Dukagjini merr vesh se Agjencia e Inteligjencës pasi që ju ka rënë në gjurmë të dyshuarve i ka përcjellur dhe vëzhguar në vazhdimësi.

Për kohë të gjatë, përcjellja e tyre dhe vëzhgimi është kryer në hapësira të ndryshme brenda dhe jashtë territorit të Kosovës.

Sipas informacioneve takimet janë zhvilluar kryesisht në Serbi.

Agjencia e Inteligjencës ka arritur të bëjë edhe përgjime ambientale të komunikimit të të dyshuarve me shefin e tyre e ku edhe dëgjohen duke folur.

Në këto komunikime që ka siguruar Agjencia e Inteligjencës, Bedri Shabani është dëgjuar duke folur për rastin e Banjskës, e ku i “akuzon” palën serbe për organizim amator të rastit duke thënë se “pse nuk na keni përfshi ne, e din çka bëjmë ne”.

Më pas nga këtu kanë nisur diskutimet për shkaktimin e një incidenti ndëretnik në pjesë të tjera të Kosovës.

Qëllimi i tyre primarë ka qenë devijmi dhe njollosja e luftës së UCK-së. Qëllim kanë pasur edhe devijimin e të vërtetës për masakrën e Reçakut, por jo vetëm këta dy persona, besohet se ka edhe të tjerë.

Agjencia e Inteligjencës beson se shërbimet serbe kanë nxitur qytetarët që kanë viktima familjarë, që nuk kanë qenë pjesë e UÇK-së, ta marrin statusin e dëshmorit, për të shërbyer kauzës serbe se ata nuk kanë vrarë civil por pjesëtarë të UÇK-së.

Bedri Shabani ka qenë zyrtarë doganor deri në vitin 2004, ndërkohë Muharrem Qerimi ka qenë zyrtar policor deri në vitin 2008.

Të dyshuarit, të cilët pritet të qëndrojnë në paraburgim për një muaj.