Maqedoni

Ekipi i Pendarovskit: VMRO-ja nuk tregon nëse qëndron prapa profileve në internet që përhapin gjuhë urrejtjeje

A është VMRO DPMNE pas më shumë se 200 boteve në rrjetin X që përhapin gjuhë të urrejtjes çdo ditë? Retorika e përdorur nga këto profile të kujton retorikën e VMRO-DPMNE-së me të cilën partia në mungesë të argumenteve, pa bazë sulmon presidentin Stevo Pendarovski. Të njëjtat profile tregojnë mbështetje të fortë për partinë VMRO-DPMNE, thuhet në një reagim për media nga ekipi për marrdhënie me publikun i presidentit Pendarovski, transmeton Portalb.mk.

Po këto profile kanë vite që përhapin qëndrime antishqiptare dhe antiperëndimore.

Ndonëse VMRO-DPMNE-ja pretendon se nuk do të bëjë fushatë të zezë kundër presidentit Pendarovski, megjithatë çdo ditë publikojnë video manipuluese në të cilat deklaratat e presidentit Pendarovski janë nxjerrë jashtë kontekstit. Pothuajse identike me postimet në rrjetin X.

VMRO-DPMNE duhet t’i përgjigjet opinionit nëse qëndron pas këtyre profileve dhe nëse janë ata autorët e fushatës së zezë kundër presidentit Pendarovski në rrjetet sociale.

Ndryshe, pretendimin e VMRO-DPMNE-së se nuk do të bëjë fushatë të zezë e perceptojmë si një parodi të keqe, duke pasur parasysh se është e njëjta parti që ushtroi censurë pa turp, parti në pushtetin e së cilës u mbyllën mediat më të mëdha dhe u vërejt rënia më e madhe në lirinë e medias.

Kujtojmë se raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare. Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.

Deri më 11 mars, rreth katër mijë qytetarë kanë kontrolluar listën zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme. Gjashtë prej tyre, siç ka bërë të ditur Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, kanë kërkuar ndryshimin e të dhënave, nëntë kanë kërkuar që të dhënat e tyre të regjistrohen në Listën Zgjedhore dhe pesë kanë kërkuar që të fshihen të dhënat e tyre.