Editorial: VLEN dhe BDI me rejting gati të barabartë, kjo shkon në favor të votuesit shqiptar
Tek kampi politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, VLEN për herë të parë është para BDI-së, ndërsa partia opozitare maqedonase, LSDM-ja është katërta. Këtë e tregojnë rezultatet e anketës së opinionit publik të realizuar për MKD.mk nga agjencia Market Vision nga 6 deri më 15 dhjetor në mesin e 1200 të anketuarve.
Në pyetjen se nëse mbahen nesër zgjedhjet e ardhshme, për cilën parti politike do të votonin, 21,5 thonë se do të votonin VMRO-DPMNE-në, për koalicionin VLEN do të votojnë 5,5%, për BDI-në 5,4%, për LSDM, 3,9%, për Levicën 2,9%, për ZNAM 2,1%…
“Për herë të parë në historinë pluraliste politike maqedonase, kryetari i partisë së shqiptarëve në Maqedoni është në vendin e dytë në mesin e liderëve politikë. Ato dy vende të arritshme ishin të “rezervuara” për liderët e VMRO-DPMNE-së apo LSDM-së. Kryetari aktual i LSDM-së, Venko Filipçe, e ndan vendin e tretë në këtë renditje së bashku me Maksim Dimitrievskin, kryetar i partisë së re ZNAM. Dhe si partia, LSDM, zhytet në vendin e katërt pas VMRO-DPMNE-së, BDI-së dhe VLEN-it”, shkruan MKD.mk.
Anketa tregon se tek kampi politik maqeonas ka një parti në pushtet me rejting të lartë, kurse dhe pjesa tjetër e votuesve është dispersuar mes disa partive politike LSDM, Levica dhe ZNAM.
Kurse te kampi politik shqiptar kemi garë gati të barabartë. Është hera e parë ndoshta në historinë pluraliste që pushteti dhe opozita të jenë në nivel gati të njëjtë kur bëhet fjalë për rejtingun e tyre.
Kjo situatë me siguri nuk i pëlqen as pushtetit, e as opozitës. Brenda koalicionit VLEN mund të ketë ngurrim se kjo barazi në rejtingje i krijon mundësi BDI-së të presë “tek dera” e Qeverisë, kurse në BDI me siguri eksizton frikë se ky është fillimi i ngecjes së saj në raport me koalicionin VLEN, për shkak të predispozitave të një pjese të konsiderueshme të votuesve shqiptarë për të qenë gjithmonë me “hyqymetin”. Sipas vlerësimeve të diaa ekspertëvr ana janë deklaruar në anketë si të papërcaktuar, për shkak se nuk dihej cila anë do jetë në pushtet, e cila në opozitë, por ne kalimin e kohës zakonisht afrohen me pushtetin.
Sidoqoftë, nëse disponimi aktual i shqiptarëve nuk i pëlqen as VLEN-it, e as BDI-së, duhet të ju pëlqen votuesve shqiptarë. Vetëm kur kemi dy kampe me rejting të përafërt, votuesi vlerësohet ashtu siç e meriton. Vetëm në raste të tilla votuesi është më i rëndësishëm se partia, e jo partia ose funksionari më i rëndësishëm se votuesi, siç ndodh zakonisht kur partia në pushtet eshtë shumë e fortë, e opozita shumë e dobët.
Rezultatet e anketës poashtu tregojnë se 50 për qind e votuesve nuk janë deklaruar për asnjë parti.
Ata nuk kanë dashur të përgjigjen, kanë thënë se nuk do të votojnë, ende nuk e kanë marrë vendimin, ose se nuk e dinë se për cilën parti do të votojnë.
Kjo përqindje paraqet një kuantum mjaft të gjerë për të punuar dhe për t’i përfituar. E mira është se tani partitë duhet të djetsiten duke vrapuar pas votuesve, e jo votuesit duke vrapuar pas partive./Lideri