Edhe vajza e Sanduloviqit, bëri homazhe te kompleksi memorial “Adem Jashari”
“Të respektojmë që të mos përsëritet ma”, shkruan në mesazhin që ajo ka lënë te varri i Blerina Jasharit.
Pasi bëri homazhe, Klara Sanduloviq tha se babai i saj është i vetmi politikan serb që promovon paqen e prosperitetin dhe se politika e tij bazohet në falje dhe paqe.
“Vitin e kaluar ai erdhi në këtë vend dhe shprehi ngushëllimet e tij për të gjitha viktimat e pafajshme që u vranë gjatë luftës. Ky ishte një akt shumë paqësor dhe qeveria serbe arriti në përfundimin se ky ishte krim e kjo ishte gjuhë e urrejtjes, kështu që vendosa të bëhesha njëjtë kriminel si babai im”.
“Vendosa të vij këtu dhe të shpreh ngushëllimet e mia për të gjitha viktimat e paligjshme. Dhe t’ia shprehi brezit tim që ne duhet të ndalojmë urrejtjen dhe duhet të falim njëri-tjetrin dhe gjithashtu duhet të kërkojmë falje dhe që gjëra të tilla që ishin në të kaluarën të mos përsëriten dhe asnjë fëmijë të mos vritet në të ardhmen”, deklaroi vajza e politikanit Sanduloviq.
Nikolla, babai i Klarës, javë më parë ishte arrestuar dhe torturuar nga shërbimi sekret serb BIA, pasi kishte bërë homazhe te kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Për të bërë homazhe shkoi edhe avokati i tij, Çedomir Stojkoviq i cili la një letër pranë varrit të Blerina Jasharit.
“Urrejtja vdes. Ti jeton përgjithmonë. Një mijë lot për një mijë vjet paqe. Dhe miliona shpresa dhe ëndrra. Të cilat fillojnë me fjalën “Më fal”, shkruhej në letër.
Ai pastaj është ndaluar për plot katër orë nga shërbimi sekret serb teksa po kthehej nga Kosova për në Serbi, por tha se me të patën një qasje profesionale për dallim me klientin e tij të cilin e torturuan.