Rajon - Botë

Edhe Ukraina granaton një qytet rus, shkatërron depon me armë

Autoritetet ruse kanë pohuar një ngjarje të pazakontë, në rrjedhën e agresionit të Moskës ndaj Ukrainës, përcjell CNNA2.

Sipas agjencisë TASS, e konfirmuar nga guvernatori i rajonit të Belgorod Vyacheslav Gladkov, një raketë ukrainase ka goditur një depo armësh në afërsi të këtij qyteti rus që ndodhet pranë kufirit.

Sipas burimeve, depoja është shkatërruar nga një raketë balistike OTR-21 Toshka, në pronësi të ushtrisë ukrainase, ndërkohë që depoja ndodhej në fshatin e Krasny Oktabyr.

Sulmi sipas rusëve ka ndodhur gjatë natës, dhe shpërthimet që kanë ardhur si pasojë janë parë qartësisht nga rreth 350 mijë banorët e qytetit Belgorod.

Ministria e Brendshme ukrainase ende nuk ka komentuar lajmin, por as nuk e ka përgënjeshtruar. Një kundërsulm i Kievit ne territorin rus kishte ndodhur vetëm njëherë më parë gjatë konfliktit, në ditët e para kur ishte goditur baza ajrore e Millerovos.

Koincidenca me lajmin se pas bisedimeve në Stamboll forcat ruse po tërhiqen nga zona e Kievit, si sinjal hapjeje, bën të mendojnë disa analistë se lajmi mund të jetë edhe një diversion i Kremlinit, për të treguar se Ukraina nuk ka në interes paqen.