Edhe personeli mjekësor në spitalin e Tetovës do të mbajë grevë
Mjekët dhe personeli mjekësor në Spitalin klinik dhe në Shtëpinë e Shëndetit në Tetovë sot nga ora 10 deri në 10:30 janë në grevë në vendet e tyre të punës konform mbështetjes që japin si sindikatë degë e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM).
Sipas informacioneve nga përfaqësuesit e sindikatës, derisa sa zgjatë greva disa kolegë të tyre do të qëndrojnë në vendet e tyre të punës në mënyrë që të mos ketë ndërprerje në punën e Spitalit klinik dhe Shtëpisë së Shëndetit.
“Organizata sindikale e ISHP Spitalit klinik dhe Shtëpisë së Shëndetit Tetovë i janë bashkuar grevës së organizuar nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë për rritje lineare të pagave prej 2.806 denarë. Kjo është diçka që Qeveria na e ka premtuar, por ende nuk e ka realizuar, si dhe të drejtën që e kemi humbur prej kohësh K-15. Çdo ditë do të mblidhemi deri në realizimin e kërkesave tona. Që të mos pësojnë pacientët, kolegët tanë janë në vendet e tyre të punës, procesi po zhvillohet, gjysma jemi në vendet e punës dhe kemi përkrahje”, deklaroi Sllobodanka Gërnçaroska, kryetare e Organizatës sindikale në ISHP Spitali Klinik dhe Shtëpisë së Shëndetit në Tetovë.
Sipas udhëzimeve nga LSM, në shëndetësi greva do të mbahet çdo ditë nga ora 10 deri në 10:30.