Maqedoni

Ecolog sivjet shpërndan më shumë ndihma për Bajram se viteve tjera

Njerëzimi dhe sidomos shkenca e mjekësisë po e bën të pamundurën për frenimin e përhapjes dhe luftimin e Covid-19. Përkundër këtyre përpjekjeve, pandemia akoma nuk është tejkaluar, ajo po vazhdon të kërcënojë. Zbulimi i vaksinës dhe imunizimi i popullsisë po na mbush me shpresë dhe besim se së shpejti do të çlirohemi nga kjo e keqe. Të gjithë jemi të vetëdijshëm për pasojat, andaj duhet të kemi durimin të vazhdojmë me zbatimin e masave mbrojtëse.
Jemi gjithashtu të vetëdijshëm se nga pasojat e pandemisë shumë familje vazhdojnë të mbeten pa të ardhurat e rregullta. Ato janë në gjendje të vështirë dhe kanë nevojë për mbështetje, të mos flasim për familjet sociale që po bëjnë përpjekje për mbijetesë.
Të nderuar kolegë biznesmenë kudo që jeni, brenda trojeve tona apo në diasporë, le të vazhdojmë me solidaritetin tonë. Gjithsecili sipas mundësive që ka, Ju bëj thirrje t’u dalim në ndihmë këtyre familjeve duke nisur nga fqinjësia, lagjja, katundi apo qyteti nga vijmë e më gjerë.
Më vjen mirë që nga biznesi ynë familjar tashmë ka nisur shpërndarja e kuponave me vlerë për blerjen e produkteve të konsumit të gjerë. Kjo është forma që ne për çdo vit i mbështesim familjet në nevojë, ndërsa tash në periudhën e pandemisë, me buxhet të rritur. Le t’ia zgjatim dorën njëri-tjetrit pasi kështu do ta kalojmë më lehtë këtë sfidë. Shumë prej atyre që sot janë në nevojë, nesër mund të jenë ata që do t’ia zgjatin dorën të tjerëve në nevojë!
Solidarizimi është humanitet ndërsa humaniteti e fisnikëron shpirtin njerëzor dhe i afron njerëzit, i bën ata më të dashur me njëri-tjetrin.