September 16, 2024
Kosovë

E pranon avokati serb: Bllokadat në Veri të Kosovës i vendosën paramilitarët e Putinit me ndihmën e BIA-s serbe

Avokati serb Stojkoviq: Grupi mercenar rus Wagner vepron në Serbi përmes Vulinit i ndihmuar nga BIA

Avokati nga Beogradi Çedomir Stojkoviq, themelues i grupit “Tetori” që lufton kundër ndikimit rus dhe pushtimit hibrid në Serbi, thotë se Serbia është një vend i pushtuar dhe se Rusia mund të shkaktojë konflikte këtu pikërisht sepse e ka bërë Serbinë të dëgjueshmen e vet.

Në një intervistë për The Geopost, Stojkoviq thekson se grupi mercenar rus Wagner vepron në Serbi përmes Aleksandar Vulinit i ndihmuar nga Shërbimi Informativ (BIA).

“Sa i përket ndarjes së Serbisë dhe Rusisë, procesi i ndarjes do të jetë po aq i thjeshtë sa ndarja e një personi nga një tumor. Prandaj, nuk është aspak e thjeshtë dhe nuk do të ndodhë pa ndërhyrjen e kirurgut. Ai kirurg në këtë rast duhet të jetë Perëndimi, pra BE, Amerika dhe NATO”, thotë Stojkoviq, për “The Gepost”.

Ai thotë se ekipi për identifikimin e agjentëve të Putinit në Republikën e Serbisë vepron në kuadër të grupit “Tetori”, i cili përpilon një listë të agjentëve të Putinit në Serbi, qëllimi i të cilëve është zbërthimi i skemës së ndikimit malinj të Rusisë.

“Kjo do të thotë se sot, kur shikoni listën e identifikimit të agjentëve të Putinit, do të shihni politikanë, ministra, deputetë, por edhe gazetarë, redaktorë mediash, pronarë mediash, profesorë universiteti, presidentë apo përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe shumë të tjera”, shprehet ai.

Stojkoviq pohon se grupi Wagner vepron në Serbi, jo përmes Rusisë, por përmes serbëve.

“Ajo mobilizoi dhe rekrutoi në radhët e saj njerëz me nënshtetësi serbe, njerëz me emra dhe mbiemra serbë dhe ata punojnë për grupin Wagner. Dhe nuk është më sekret. Janë fotografuar në qendrat e Wagnerit, janë fotografuar me emblemat e grupit, mbajnë simbolet e grupit Vagner, janë grupi Wagner dhe kanë nënshtetësi serbe”, pohon Stojkoviq.

Avokati thekson se interesi i grupit Wagner në Serbi është të krijojë një rrjet kontaktesh dhe një strukturë popullsie që mund të veprojë në interes të Moskës me komandën e Kremlinit.

“Siç ishte rasti i barrikadave në Kosovë. Dhe grupi Wagner rekruton njerëz këtu, krijon grupe përmes elementëve të djathtë, nacionalistë dhe nazistë që mund të shkaktojnë konflikte dhe, nëse është e nevojshme, mund të krijojnë një vatër të re këtu në Ballkan”, thekson avokati.

Ai shton se lidershipi shtetëror i Serbisë nuk dëshiron ta pranojë planin franko-gjerman për Kosovën.

“Udhëheqja shtetërore serbe fillimisht luajti në kartën që Kurti do ta refuzonte atë plan dhe më pas do të tregonin se si e pranojnë atë plan dhe do ta fajësojnë Kurtin se është një forcë shkatërruese për qetësimin dhe për ndërtimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, dhe se Beogradi në fakt është një forcë konstruktive. Ju mund të vini re që atëherë kur Kurti tha se e pranon planin, nga ai moment Beogradi hesht, nuk thotë asgjë në favor të pranimit të atij plani”, shton ai.

Stojkoviq beson se pranimi i planit për Kosovën varet ekskluzivisht nga Rusia.

“Mendoj se përmes veprimeve të qeverisë serbe, ne në fakt do të mund të shohim se çfarë dëshiron Rusia në lidhje me Kosovën dhe sa larg është e gatshme të shkojë”, beson Stojkoviq.

Ai thekson se takimet intensive mes Vuçiqit dhe ambasadorit rus Aleksandar Boçan-Harçenko kanë qenë vetëm për hir të Kosovës, për t’i përcjellë Vuçiqit mendimin e Putinit për zgjidhjen e problemit të Kosovës.

Në fund, Stojkoviq është i bindur se Rusia po e humb luftën në Ukrainë dhe se nuk duhet të gënjehemi se do të shohim një Putin të ri në Kremlin edhe pas Putinit.

“Kur bëhet fjalë për të ardhmen e rajonit, çelësi është bashkimi i forcave progresive. Kjo është ajo që vetëm ne mund të bëjmë. Ne duhet të krijojmë një organizatë apo platformë transnacionale përmes së cilës do t’i shpjegojmë Perëndimit. Dhe kur ta shpjegojmë, jam i sigurt se atëherë politika e Perëndimit këtu do të ndryshojë ndjeshëm sepse ata do të shohin se këtu kanë njerëz me të cilët mund të bisedojnë”, përfundon ai./The Geopost