Dy shpërthime në Iran, të paktën 73 të vdekur
Të paktën 73 të vdekur nga shpërthimet pranë varrit të gjeneralit Soleimani në Iran
Të paktën 73 persona janë vrarë nga dy bomba që kanë shpërthyer pranë varrit të gjeneralit të Gardës Revolucionare iraniane, Qasem Soleimani, në përvjetorin e katërt të vrasjes së tij, shkruan BBC.
Transmetuesi shtetëror Irib ka thënë se rreth 171 persona të tjerë u plagosën kur shpërthimet goditën një procesion pranë xhamisë Saheb al-Zaman në qytetin jugor të Kermanit.
Sipas zëvendësguvernatorit të Kermanit, sulmi ishte terrorist.
Qindra njerëz thuhet se po ecnin drejt varrit të mërkurën si pjesë e një ceremonie për të përkujtuar gjeneralin Soleimani, i cili u vra në një sulm me dron amerikan në Irakun fqinj në vitin 2020.
Soleimani shihej si figura më e fuqishme në Iran pas udhëheqësit suprem, Ayatollah Ali Khamenei.
Si komandant i krahut të operacioneve jashtë shtetit të Gardës Revolucionare, ai ishte arkitekt i politikës iraniane në të gjithë rajonin.
Ai ishte përgjegjës për misionet klandestine të forcave “Quds” dhe ofrimin e udhëzimeve, financimeve, armëve, inteligjencës dhe mbështetjes logjistike për qeveritë aleate dhe grupet e armatosura, duke përfshirë Hamasin dhe Hezbollahun.
Presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Donald Trump, i cili urdhëroi vrasjen e vitit 2020, e përshkroi Soleimanin si “terroristin numër një kudo në botë”.