Dy persona u futën në stacionin policor në Strugë, sulmuan dhe tërhoqën zvarrë policët
Prokuroria Themelore Publike e Strugës ka dorëzuar propozim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve nga fshati Veleshtë, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer vepra penale – Pengim i zyrtarit në kryerje të detyrës zyrtare nga neni 382 dhe Sulmi ndaj zyrtarit gjatë kryerjes së punëve të sigurisë nga neni 383 i Kodit Penal.
Në sulmin, të cilin nga prokuroria e cilësuan si “të pacipë”, kanë marrë pjesë dy të dyshuar 32 vjeçarë nga Veleshta e Strugës, përcjell KlanM.
“Dy të dyshuarit 32 vjeçarë, më 16 shtator pas mesnate, kanë hyrë në stacionin policor në Strugë derisa një person tjetër ka bërë kallëzim kundër tyre dhe në prani të disa zyrtarëve policorë kanë filluar ta spërkasin denoncuesin me gaz lotsjellës. Menjëherë pas kësaj, të dyshuarit kanë sulmuar edhe policët, kanë filluar t’i tërheqin zvarrë dhe të tentojnë t’ua marrin armët e shërbimit. Dy të dyshuarit u mposhtën, por vazhduan të përpiqeshin me këmbëngulje të çliroheshin dhe të largoheshin nga stacioni”, thonë nga PTHP.
Prokurori Publik kompetent ka kërkuar nga gjyqtari procedurës paraprake masë paraburgimi për dy të dyshuarit./KlanMacedonia