Maqedoni

Dy muaj pritje për një pasaportë në Maqedoninë e Veriut

Në dyert e Institucionit të Avokatit të Popullit në Maqedoninë e Veriut për çdo ditë trokasin qytetarët me ankesën se u shkelet e drejta e lëvizjes së lirë për shkak të paaftësisë së institucioneve për të realizuar detyrimet e marra nga Marrëveshja e Prespës, përkatësisht për të organizuar pajisjen me dokumente me emrin e ri kushtetues në afatin e paraparë me ligj – brenda 15 ditëve, raporton Radio Evropa e Lirë.

“Të gjithë qytetarët që kanë aplikuar për dokumente të reja presin më shumë se afati ligjor prej 15 ditësh, i cili është i paraparë me Ligjin për dokumentet personale. Në vazhdimësi marrim ankesa, edhe pse ky numër është në rënie. Qytetarët ankohen se kanë dorëzuar aplikimin para një muaji e më shumë, dhe dokumentet personale si pasaporta, letërnjoftimi apo patenta e shoferit dhe se ato nuk janë gati”, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, institucioni i Avokatit të Popullit.

Një nga ata që tashmë më shumë se dy muaj pret për të marrë pasaportën, është edhe Daniella Nastevska, e cila thotë se rrezikon ta humbë biletën e prerë për të shkuar te vajza në Belgjikë e cila është para lindjes.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk japin detaje se sa qytetarë aktualisht nuk kanë asnjë dokument identifikimi valid, si pasaporta dhe letërnjoftimi. Nga kjo ministri thonë për REL-in se nga 5 qershori i vitit 2021, kur ka filluar dhënia e dokumenteve me emrin e ri të shtetit, e deri më 4 prill 2024, për t’u pajisur me pasaportat e reja kanë aplikuar 1 milion e 491 mijë e 408 qytetarë.

Nga ky dikaster kanë theksuar se pasaporta me procedurë të shpejtuar, për të cilën paguhet dyfish më shumë, mund të merret brenda 48 orëve.

Ndryshe, qytetarët kanë paguar mbi 13 milionë euro për lëshimin e pasaportave në procedurë urgjente në gjysmë viti.

Dymbëdhjetë shkurti i këtij viti ishte dita e fundit që mund të dilje jashtë vendit me pasaportë me emrin e vjetër të vendit. Pas kësaj periudhe, ju mund të largoheni nga vendi me pasaportë me emrin e ri të vendit. Në ato vende me të cilat kemi marrëveshje, kufijtë mund të kalohen me letërnjoftim.