Dy grupet e BDI-së, në terren me qytetarët
Me ironi dhe duke thumbuar palën tjetër kanë vazhduar në terren aktivitetet e dy grupeve të BDI-së. Kreu i partisë Ali Ahmeti ka shmangur bisedat për të ashtuquajturin grupi i zjarrit në pjesën më të madhe të fjalimeve të tij në takimet me qytetarët në Gostivar dhe Tetovë duke folur vetëm për të arriturat e kabinetit qeveritar. E i nxitur nga të pranishmit, pakënaqësitë i ka quajtur “xixa” ose asgjë.
“Nuk mund të them se kemi mandat të pasuksesshëm, pavarësisht mospajtimeve e zhurmave, por është një mandat koxha i suksesshëm. Ku është zjarri i madh, xixat nuk duken. Nuk është asgjë, nuk është. Hiç mos u mërzit. Këto takime janë me vendim të Këshillit të përgjithshëm ka disa muaj, që të takohemi dhe të komunikojmë”, deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Këto komente Ahmeti i bëri në takimin të cilin e quajtën si takim me Forumin e Gruas, mirëpo kryetarja e forumit, Mukadez Hajdari, ishte në një event tjetër me grupin e zjarrit. Mospërfaqësimi i grave të partisë në ekzekutiv, ishte thelbi i fjalimeve.
“Të flasim zëshëm edhe për anashkalimin tuaj, për tentimet për t’ua heshtur zërin e pakënaqësive rreth përfaqësimit tuaj, konkretisht në ekzekutiv, që nga eshaloni më i lartë, sepse një grua kur vendos të mos heshtë, nuk ka gjë atë që e ndalon”, u shpreh Visar Ganiu, anëtar i kryesisë së përgjithshme, BDI.
Përplasjet edhe më direkte ishin mes kreut të Kuvendit Talat Xhaferi dhe sekretares për baraza gjinore Saranda Imeri. Xhaferi pak ditë më parë, kishte ftuar Imerin të lërë rrugët dhe të japë llogari para grave për të bëmat e saj.
“Më vjen keq që sekretaren tonë të zgjedhur për barazi s’e kemi këtu. Do të ishte mirë që të vinte, së paku në atë tubimin e 300 grave në Gostivar pardje, të vinte të referonte që është duke bërë punë për ata se ne burrat i bëjmë do punët tona që i bëjmë por për ju zonja të nderuara do të ishte e udhës që sekretarja të vinte të bënte punët e veta atje ku duhet me i bë, me i lënë rrugët, se për rrugë ka kush rri”, tha Talat Xhaferi, BDI.
Imeri e ofenduar ju përgjigj Xhaferit.
“Pikërisht kjo deklaratë e thënë nga kryeparlamentari jonë dëshmoi se çfarë mendimi ai ka për gratë në politikë. Ai na quajti rrugaçe. Më quajti mua rrugaçe. Epo be palo burrë, be komandant, ta di për nderë. Ke ofenduar nënën e dy vajzave të mrekullueshme, ke ofenduar gruan e një qytetari me nderë me traditë, ke ofenduar vajzën e një politikani, e një veprimtari që la jetën e tij nëpër burgje që ti sot ta gëzosh kolltukun ku je atje. Po ne jemi njerëz, unë mund edhe të të fali, kushedi dhe ti në çfarë gjendje ke qenë kur e ke thënë këtë deklaratë”, deklaroi Saranda Imeri, sekretare për barazi gjinore
Deri tani, grupi i drejtuar nga Ahmeti ka zhvilluar takime në disa lokacione në Tetovë e Gostivar, kurse ai i paraprirë nga nënkryetari Izet, Mexhiti, në Shkup, Kumanovë, Manastir… /Alsat.mk