Durmishi në Doha, takim me ministrin e Punës së Katarit, Dr. Ali bin Saeed bin Sumaikh Al-Marri
Ministri i Ekonomisë dhe Punës të Maqedonisë së Veriut, Besar Durmishi qëndroi për vizitë pune në shtetin e Katarit ku u takua me Dr. Ali bin Saeed bin Sumaikh Al-Marri, ministër i punës dhe përfaqësues të tjerë të këtij vendi. Ministri Durmishi në takim theksoi se dy vendet tona kanë potencial të madh për avancimin e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha nivelet si dhe thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat konkretisht në fushën e investimeve, pasi Maqedonia e Veriut ka klimë dhe kapacitete të mjaftueshme për të pritur investitor të huaj.
Ministri Durmishi informoi Shtetin e Katarit për marrëveshjen që kemi në rregullimin e punësimit të punëtorëve që është në fuqi që nga marsi i vitit 2012, e cila përcakton marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve për punësimin e punëtorëve, duke arritur përparim të madh ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Katarit në fushën e marrëdhënieve të punës. Me ndryshimet në ligjin që rregullon organizimin e organeve të administratës shtetërore, Ministria e Ekonomisë dhe Punës, nga qershori do të marrë në kompetencë të saj marrëdhëniet e punës, punësimin, standardin e jetesës dhe mbrojtjen e punëtorëve dhe kjo do ta lehtësojë akoma më tepër procesin jo vetëm të investimeve, por edhe të shkëmbimit ekonomik në mes dy vendeve. Është në interesin tonë që të lidhim një memorandum bashkëpunimi, i cili do të rregullonte fushat e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Gjatë qëndrimit në Katar, ministri Durmishi ka potencuar edhe faktin se vendi ynë me përkushtim është duke ndjekur situatën me punëtorët tanë që punojnë në Katar në sektorë të veçantë, p.sh. në sektorin e hotelerisë, ndërtimit, shëndetësisë etj. Në këtë drejtim është shfaqur nevoja që të mund të lidhim një marrëveshje dypalëshe ndërmjetësimi, e cila do të rregullojë rekrutimin e punëtorëve, dhënien e vizave të punës dhe qëndrimit në procedurë të thjeshtuar, kohëzgjatjen e angazhimit të punës së punëtorëve, të drejtat dhe detyrimet e tyre, detyrimet e punëdhënësve, detyrimet e agjencive kombëtare të punësimit të të dy vendeve, etj. Për ne si Ministri e Ekonomisë dhe Punës, në juridiksionin e së cilës janë kushtet e punës së investitorëve të huaj, është e një rëndësie të madhe që të punohet në përmirësimin e klimës së biznesit, në mënyrë që të kemi më shumë investime që do të nënkuptojnë punësim më të madh dhe rritje më të madhe ekonomike. Shpresoj që pas këtij takimi të parë, ne do të punojmë së bashku në të ardhmen për të përmirësuar më tej marrëdhëniet midis dy vendeve tona mike. Punojmë me intensitet të lartë që të sjellim sa më tepër investitor nga Katari me çka dukshëm do të përmirësonte ekonominë dhe standardin e jetës së qytetarëve.- tha ministri Durmishi.