Durmishi akuzon BDI-në dhe LSDM-në për nxitje të tensioneve
Ky është vendimi për prishjen e kryqit në Kodrën e Diellit, që komuna e Tetovës, gjegjësisht dokumenti që inspektorati komunal ia ka dorëzuar Kishës Ortodokse në bazë të procesverbalit të 16 nëntorit 2023. Mes të tjerash në vendim shkruhet se “është konstatuar se subjekti nuk ka leje për ndërtim”. Mënjanimi siç thuhet më tej në vendim, duhet të fillojë menjëherë pas pranimit të aktvendimit për largimin e kryqit dhe brenda pesë ditësh.
Ka vendim për largimin e kryqit në Kodrën e Diellit Kryetari i Këshillit komunal Besar Durmisht thotë se si ky vendim ka edhe mbi 5 mijë të tjerë të ngjashëm për objekte pa leje. Sipas tij, BDI dhe LSDM po mundohen të nxisin marrëdhëniet etnike dhe fetare.
“Komuna e Tetovës do të trajton edhe këtë ndërtim si të gjithë ndërtimet e tjera pa leje. Lojërat që i bën BDI, LSDM dhe VMRO janë propagandë e tyre mediatike për të fituar pikë politike. Ndërsa BDI dhe LSDM në mungesë të projekteve të tyre kapitale apo në dështimin e tyre për të realizuar programin e tyre katërvjeçar, pasi që janë në fund të mandatit, tentojnë të taktizojnë me lojëra të këtilla se nxisin urrejtje ndëretnike, fetare, me çka bën që të nxitet urrejtje mes qytetarëve.”- tha Besar Durmishi, Kryetar i Këshillit Komunal Tetovë.
Ditë më parë nga LSDM akuzuan VMRO-DPMNE-në dhe Besën se me vendosje kryqit në Kodrën e Diellit nxisin marrëdhëniet ndëretnike dhe kërkuar anulimin e vendimit për rrënim, duke thënë se këshilli dhe komuna duhet të merren me probleme më të rëndësishme. Nga ana tjetër, akuzonin sekretarin e komunës Darko Kocevski se ka gisht në këtë lojë. Por ky i fundit reagoi duke thënë se si sekretar i komunës nuk ka kompetenca ndaj inspektoratit.
“Dua të theksoj se si sekretar i Komunës së Tetovës, as kam miratuar dhe as nënshkruar ndonjë vendim për heqjen e kryqit në oborrin e Manastirit të Kodrës së Diellit. Gjithashtu dua të sqaroj se unë si sekretar i komunës nuk kam as kompetenca dhe as kompetencë që të miratoj akte të tilla administrative në përputhje me Ligjin për Mbikëqyrjen Inspektuese, por inspektorët e autorizuar të ndërtimit janë të pavarur në veprimet e tyre.”- tha Darko Kocevski, Sekretar I Komunës Së Tetovës.
Kryqi në Kodrën e Diellit u vendos me 16 nëntor. Atë kohë u mbajt një seancë e jashtëzakonshme në këshillin komunal, ku nga BDI dhe LSDM akuzonin Besën dhe VMRO-në se kanë marrëveshje për vendosjen e kryqit, ndërsa nga komuna e Tetovës thoshin se nuk kanë gisht në vendosjen e kryqit.