Dukanoviç në forumin rajonal: Kthimi në politikat pro-evropiane, si përgjigje ndaj ringjalljes së ideve të shkuara
Nga Rajmonda Basha
Ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Dukanovic ka marrë pjesë në forumin rajonal “Ballkani dhe sfidat gjeopolitike të së sotmes dhe së ardhmes”, organizuar nga presidenti i Partisë së Lirisë, njëherësh dhe ish-president i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.
Përmes një postimi në X, dikur Twitter ai shkruan se ka pasur diskutim të hapur dhe konstruktiv.
Gjithashtu, sipas ish-presidentit kthimi në politikat pro-evropiane është “i nevojshëm si një përgjigje ndaj ringjalljes së ideve të shkuara”.
“Mirënjohje ish-Presidentit Ilir Meta për mundësinë dhe mikpritjen”, përmbyll ai.
Në konferencë morën pjesë Ilir Meta, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ish-presidenti i Kroacisë Stipe Mesiç, prof. dr. Ahmet Davutoglu – ish-kryeministër dhe ministër i Jashtëm të Turqisë, si dhe politikanë dhe akademikë të njohur nga vendi e rajoni.
Meta deklaroi se sot, edhe më shumë se dje, nevojitet rikthim urgjent në shinat e politikës së jashtme klasike, dhe jo eksperimentale apo në formatin e “biznesit për paqe”.
“Nevojitet njohja e realiteteve, rikthim në shtyllat e parimeve dhe forcim i kushtëzimit. Në vendet tona punohej më shumë dhe kishte më shumë përparim kur BE dhe SHBA flisnin më fort, më hapur dhe me një zë. Reformat kuptimplota dhe të vërteta brenda secilit vend prodhuan lëvizjen pa viza drejt Europës dhe brenda rajonit, zgjeruan perimetrin e kufirit të NATO brenda nesh, forcuan ekonomitë, institucionet, ulën tensionet ndërmjet popujve dhe rritën shkëmbimet e natyrshme në të gjitha fushat. Kishte më shumë llogaridhënie, më shumë entuziazëm, më shumë besim nga qytetarët, ashtu sikurse kishte leva më të forta të BE dhe SHBA”, tha ai.
Sipas tij, autoriteti i BE dhe SHBA është cenuar edhe nga marrëdhëniet korruptive që kanë ndërtuar liderët autokratë me zyrtarë të lartë të caktuar.
“Rasti i McGonigal është bërë shembull i përbotshëm se si autokratët korruptojnë edhe zyrtarët më të lartë të FBI për të eleminuar opozitën politike dhe pluralizmin”, tha ai.
Meta vuri në dukje se edhe përfshirja dhe imponimi i agjendave të diplomacisë nga aktorë joshtetërorë, që nuk dihet se kë dhe çfarë interesash përfaqësojnë ndërsa ulen në tryeza të larta politike vendimmarrëse.
Ballkani, po ashtu, shtoi Meta, nuk mund të jetë vendi ku tregtohen interesa të ngushta e afatshkurtra, si për shembull, koshi ku hidhen emigrantët e paligjshëm, sepse Ballkani nuk mund të jetë Ruanda e BE-së.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com