Rajon - Botë

Drita Llolla, deputetja e vetme shqiptare në Kuvendin e Malit të Zi

Koha Javore: Shkurtimisht më tregoni për profilin tuaj biografik, shkollimin, specializimin dhe aktivitet tuaja të deritashme?
D.Llolla: Jam rritur dhe kam qëndruar në Ulqin deri në moshën 14 vjeçare. Arsimin e mesëm e kam vazhduar në Podgoricë, ndërsa të lartin në Shqipëri dhe Skoci. Kam mbarur dy studime master, në fushën e farmacisë në Universitetin e Mjeksisë në Tiranë dhe në fushën e studimeve të shkencës dhe teknologjisë në Universitetin e Edinburgut. Gjithashtu, kam ndjekur programe të ndryshme edukative, përfshirë edhe një program intensiv në fushën e së drejtës dhe ekonomisë evropiane në Fakultetin Juridik në Riga. Pas një periudhe qëndrimi dhe përvoje pune jashtë, jam kthyer në vendlindje në vitin 2016 për t’u përkushtuar ndaj kauzës së zhvillimit të qëndrueshmëm të vendit tim, fillmisht duke drejtuar një organizatë joqeveritare me fokus kulturën. Deri në vitin 2020 kam avokuar për rikthimin e kinemasë në Ulqin, duke zhvilluar festivalin e filmit Seanema dhe programe edukative për të rinjtë nga vendi dhe rajoni. Në fillim të vitit 2021 kam vendosur të angazhohem në politikë, duke aderuar në strukturat e Partisë Demokratike të Socialistëve (PDS) dhe duke marrë drejtimin e organizatës së grave – Aleancën e Grave. Gjatë formimit tim akademik dhe profesional jam mbështetur nga programet e Departamentit Amerikan të Shtetit, programi Chevening i Qeverisë Britanike dhe programi EUVP i Komisionit dhe Parlamentit Evropian.

Koha Javore: Ju tashmë jeni deputetja e vetme shqiptare në Kuvendin e Malit të Zi dhe e para në kohën e pluralizmit politik. Si ndjeheni për këtë?
D.Llolla: Ndjej mirënjohje të thellë për të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë rrugëtim dhe kanë mbështetur këtë arritje të përbashkët për shqiptarët e Malit të Zi, duke shpresuar që në të ardhmen të frymëzojë pjesëmarrjen e më shumë vajzave dhe grave shqiptare në jetën politike dhe shoqërore të Malit të Zi.

Koha Javore: Ku qëndron arsyeja që ju kandiduat për deputete të Partisë Demokratike të Socialistëve e jo te ndonjë prej partive politike shqiptare, që kemi me bollëk?
D.Llolla: Besoj që sot, në një realitet politik ku të drejtat tona si pakicë garantohen me Kushtetutë, ligje dhe konventa të ratifikuara ndërkombëtare, duhet të jemi të lirë të angazhohemi pranë partive që veprojnë në rrafshin kombëtar, për të kontribuar për çështje që janë me interes strategjik për ne si shqiptarë dhe për Malin e Zi. Në këtë mënyrë destigmatizohen pakicat dhe integrohen suksesshëm në shoqërinë malazeze, jo duke u mpiksur rreth bërthamave etnike. Rolin e partive nacionale shqiptare në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave tona e vlerësoj si të rëndësishëm gjatë viteve 90-të, megjithatë, gjykoj se rrethanat e reja kërkojnë qasje të re. Nisur nga ky fakt, por edhe nga arritjet e kufizuara të partive nacionale pas pavarësisë, të cilat i kam parë dhe vazhdoj t’i shoh si adresa për kënaqje të interesave partikulare, mora vendimin të angazhohem pranë një “partie qytetarësh” si PDS. Sa i përket konkretisht kësaj force, e vlerësoj si të rëndësishëm kontributin e saj në integrimet euroatlantike të Malit të Zi: anëtarësimin në NATO, udhëheqjen me sukses të bisedimeve me BE-në dhe pozicionin kryesues në proceset integruese krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Rëndësia e një politike të tillë del në pah veçanërisht sot kur shohim pasojat e politikës së shumicës së re e cila, në një kohë të shkurtër, ka arritur të cilësohet “plagë kanceri” dhe vend problematik në sytë e Brukselit zyrtar. Për konkluzion, kam zgjedhur të shoh përtej problemeve që lidhen ne qëndrimin e gjatë në pushtet të PDS-së. Përfshirja ime në opozitë dhe pjesëmarrja aktive në reformat e brendshme ka mundësuar shansin unik për ta kombinuar qasjen nga “poshtë lart” të aktivizmit në komunitet përmes strukturave të Aleancës dhe “lart poshtë” përmes inicimit dhe propozimit të ligjeve tashmë si deputete në Kuvend.

Koha Javore: A ju ka ndihmuar vota e shqiptarëve të zgjedheni deputete dhe sa ka pasur rëndësi vota e tyre për ju?
D.Llolla: Mali i Zi ka sistem elektoral me lista të mbyllura dhe nuk mund të dëshmohet lidhja mes votës dhe emrit të kandidatit. Duke qenë se gjatë fushatës jam fokusuar në Ulqin, nuk mund të shprehem e kënaqur me rezultatin e koalicionit “Bashkë”. Nëse ka ndikuar forca politike, përzgjedhja e kandidatëve ose një rrethanë e tretë, është diçka që kërkon analizë më të thelluar të partive që kanë përbërë këtë koalicion.

Koha Javore: Çka mund të presin prej jush shqiptarët, respektivisht cili do të jetë fokusi juaj në politikë dhe për çfarë do ta ngrisni zërin, tani si e përzgjedhur e popullit?
D.Llolla: Në fokusin tim do jetë zhvillimi gjithpërfshirës, ekonomik, social dhe kulturor i zonave të nënzhvilluara, përfshirë zonat ku jetojnë shqiptarët. Kauza të tjera të afërta ose që përputhen me profilin tim janë avancimi i të drejtave politike të grave, fuqizimi i shoqërisë civile, rregullimi i teknologjive të reja me në fokus mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe digjitalizimi në funksion të një qeverisje më të hapur dhe më afër qytetarëve.

Koha Javore: Meqë tashmë jeni pjesë e politikës, si e vlerësoni gjendjen aktuale politike në Mal të Zi?

D.Llolla: Mali i Zi po kalon krizën më të thellë socio-politike dhe institucionale, nga pavarësia deri më sot, e cila po çbën arritjet shumëvjeçare në integrimet euroatlantike dhe po rrezikon kornizat e tij të brishta shtetërore. Dinamikat e brendshme politike prej vitesh tashmë diktohen nga Kisha Ortodokse Serbe, e cila ka mandatin e shtetit serb për ta ripërcaktuar karakterin dhe orientimin e shoqërisë malazeze. Polarizimet janë të theksuara dhe të shtrira transversalisht, deri në nivel komunitetit, gjë që vërehet nga mungesa e tolerancës dhe distancimi gjithnjë e më i theksuar mbi baza etnike dhe fetare. Në prag të formimit të qeverisë së re, shohim që trysnia ndaj vendimmarrësve po rritet, megjithatë, korpusi proserb tashmë është homogjenizuar. Në gjykimin tim, pa ndryshim të qasjes së politikës zyrtare të Serbisë, ujrat e politikës në vendin tonë do vijojnë të jenë të trazuara.

Koha Javore: Përberja aktuale e Kuvendit të Malit te Zi ka gjithsej 17 deputete. Ky është numri më i vogël i grave në Parlament në jetën politike të pluralizmit në këtë vend. Çfarë do të thotë kjo për demokracinë dhe elitën politike në Mal të Zi?
D.Llolla: Numri më i ulët i deputeteve gra, nga njëra anë është pasojë e mungesës së motivimit për shkak të retorikës ekstreme. Jemi dëshmitarë se si skena politike e Malit të Zi është kthyer në një arenë konfrontimesh ad hominem dhe fyerjesh personale, larg misionit që normalisht duhet të ketë, të mbrojtjes së interesit publik. Nga ana tjetër, elitat politike mbajnë përgjegjësi duke mos mbështetur politika progresiste ose krijuar hapësira reale për avancimin e grave në politikë. Pozicionimi në lista zgjedhore dhe mungesa e fokusit ndaj nevojave të grave në programet zgjedhore e ka dëshmuar këtë dhe unë besoj se ka të bëjë me bindjen e strukturave udhëheqëse të partive se gratë janë pamjaftueshmërisht të afta për të marrë vendime në politikë. Përfaqësimi i ulët është reflektim edhe i mungesës së kapacitetit demokratik dhe një mentaliteti i cili nuk e pranon të ndryshmen.

Koha Javore: A keni ndonjë porosi për femrat shqiptare, të cilat, mendoj se me të drejtë i janë gëzuar shumë zgjedhjes suaj si deputete?
D.Llolla: Kur bëjmë zgjedhje në jetë, duhet të kujtojmë që lufta sakrifikuese për një kauzë të drejtë vlen më shumë se komoditeti i një qendrimi neutral. Politika nuk është një terren i lehtë për gratë, megjithatë i domosdoshëm për t’i siguruar të drejtat tona dhe përmes nesh zhvillimin e shoqërisë në tërësi.