“Dridhen” politikanët në Shkup, vjen pa paralajmërim antikorrupsioneri amerikan
Ndërkohë, në Shkup në një vizitë të paparalajmëruar ka qëndruar Riçard Nefju, koordinator global për antikorrupsion në kuadër të departamentit amerikan të shtetit. Nefju i shoqëruar nga ambasadorja amerikane Angela Ageler është pritur nga presidenti Stevo Pendarovski. “Në këtë takim u diskutuan çështjet aktuale që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit dhe përpjekjet e shtetit për krijimin e një sistemi efikas për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit. Presidenti Pendarovski theksoi se lufta kundër krimit dhe korrupsionit, në çdo nivel, duke përfshirë edhe korrupsionin e lartë, është jashtëzakonisht e rëndësishme në përpjekjet për të ndërtuar sundimin e ligjit dhe për të fituar besimin e qytetarëve në institucionet”, thuhet në komunikatën e Presidencës. Detaje tjera nuk janë dhënë. Takimet tjera nuk janë realizuar as me përfaqësues të qeverisë e as me drejtues të pushtetit gjyqësor që së fundi janë në shënjestër të kritikave në veçanti nga SHBA-të për joefikasitet, nepotizëm dhe mungesë të rezultateve në luftën kund korrupsionit dhe krimit të organizuar.