Diaspora

Drenusha Hajdini, një shqiptare e suksesshme në Zyrën Federale në Zvicër

Drenusha Hajdini punon në institucionin që njihet si “Kancelaria Federale” e Zvicrës, në Bernë, e vendosur në Pallatin Federal, ku është edhe Qeveria e vendit (Këshilli Federal) dhe Parlamenti me të dy dhomat.

Të takosh një të re me rrënjë shqiptare kosovare në këtë ndërtesë nuk është diçka aq e nënkuptueshme, edhe pse Drenusha na tregon se ka ndeshur edhe në disa raste të tilla, vajza që punojnë pikërisht në këtë pjesë të administratës federale.

Por cila është rruga profesionale që ka ndjekur deri më tani Drenusha Hajdini?

“Kam përfunduar studimet për bachelor në shkencat politike dhe pastaj masterin për menaxhment publik”, thotë ajo, “dhe kam studiuar jo vetëm në Universitetin e Lozanës, por edhe në Universitetin e Bernës për të përvetësuar gjuhën gjermane, pasi kam pasur për synim të punoj në administratën federale dhe njohja e të dy gjuhëve është parakusht”.

“Gjithmonë kam pasur interesim të madh të mësoj se si funksionojnë institucionet politike, si organizohet shteti, si intervenon ai për shoqërinë, për qytetarët. Kjo, sigurisht ka qenë dhe arsyeja përse kam zgjedhur të ndjek studimet për shkenca politike dhe në administratën publike. Kam qenë e angazhuar edhe nga ana profesionale, kam punuar si asistente në Institutin e Administratës Publike në IDHEAP, në lëndën e financave publike”.

Drenusha Hajdini punon prej afër dy vjetësh në Kancelarinë Federale. Këtë punë ajo e bën me përkushtim të madh gjë që vërehet edhe nga entuziazmi me të cilin ajo përshkruan për lexuesit tanë rolin dhe funksionin që ka kjo kancelari por dhe punën e saj e të kolegë/eve të saj në këtë kontekst.

Si funksionon Kancelaria Federale?

“Kancelaria Federale është krahu i djathtë i Këshillit Federal dhe ajo ka përgjegjësi të ndryshme si: të sigurojë ushtrimin e të drejtave politike, ku bëjnë pjesë referendumet dhe iniciativat popullore. Pastaj ajo ka përgjegjësi edhe komunikimin zyrtar të qeverisë, prodhon analiza për strategjinë politike etj. Seksioni ynë që quhet “Seksioni i punëve të Këshillit Federal” merret me të gjitha vendimet që merr Këshilli Federal në mbledhje e tij javore. Të gjitha vendimet me rëndësi për shtetin, edhe ato më të ndjeshme dhe ato me karakter ndërkombëtar, kalojnë përmes ekipit tonë. Para mbledhjeve të qeverisë, që mbahen të mërkurave ose të premtëve, na dërgohen dokumentet qe i drejtohen Këshillit federal dhe ne bëjmë kontrollimin e tyre. Pasi kemi marrë ato nga të gjitha ministritë përkatëse, ne bëjmë një listë për të konstatuar divergjencat eventuale. Kjo ja lehtëson Këshillit Federal që të marrë vendimet, sepse kështu Këshilli federal mundet t’iu kushton më shumë kohë çeshtjeve për të cilat ka divergjenca në mes të ministrive. Mua më lë shumë përshtypje se si merren të gjitha pozitat parasysh në diskutimet e qeverisë dhe sa efektiv është sistemi në këtë mënyrë. Duhet të keni parasysh këtë: Gjatë mbledhjeve të qeverisë merren deri në 200 vendime! Më në fund, pas përfundimit të këtyre mbledhjeve, ekipi ynë kujdeset për hartimin e vendimeve të qeverisë”.

“Më ka interesuar ana shkencore, analiza “nga jashtë” se si zhvillohet loja politike, por jo që të jem vetë pjesë e politikës, nga aspekti partiak”

“Është nder i madh të punoj në administratën federale, të jemi në dijeni me atë çfarë po ndodh në institucionet e shtetit. Për këtë punë nevojitet një etikë shumë e lartë profesionale për faktin se kemi të bëjmë me çështje që kanë ndjeshmëri të madhe politike dhe po ashtu duhet aftësi për të punuar nën presion politik dhe të mbash diskrecion të plotë”.

Por, përtej angazhimit për funksionimin e administratës publike, që ajo e ka tashmë në përshkrimin e saj të punës, a ka Drenusha ambicie për t`u bërë pjesë e politikës partiake?

Ajo thotë se kjo pyetje i është bërë shpesh, që kur ka filluar studimet në shkencat politike. “Por ajo që mua më ka interesuar ka qenë gjithmonë vetëm ana shkencore, kam qenë e fokusuar të analizoj “nga jashtë” se si zhvillohet loja politike, por jo që të jem vetë pjesë e politikës, nga aspekti partiak”, shprehet Drenusha.

E pyetur për ambiciet sa i përket ngritjes shkencore, gradëve universitare, si doktorata etj., ajo thotë se kjo mbetet e hapur, por për një kohë të mëvonshme. “Kur kam përfunduar masterin, profesori më ka pyetur nëse dëshiroj te bëj tani edhe doktoratën”.

Administrata publike në Kosovë, temë e masterit të Drenusha Hajdinit

Kur jemi te masteri, këtu kemi një “detaj” që nuk bën të anashkalohet. Krahas faktit se është vlerësuar me çmimin për masterin më të mirë në drejtimin e studimeve të Drenushës për vitin 2022, këtë master e bën të veçantë edhe tema e diplomës të tij.

“Titulli i tezës time të masterit ka qenë “Reformat e administratës publike në Kosovë në kuadër të programit SIGMA te BE-së dhe OECD-së”, thotë bashkëbiseduesja jonë duke sqaruar pastaj thelbin e temës në fjalë. “Administrata publike është mjeti në dorë të shtetit për të zbatuar ligjet për t`i shërbyer qytetarët, pra, ajo ka një rol me shumë rëndësi. Duke qenë se Kosova ka për qëllim të bëhet anëtare e BE së, janë disa reforma që ajo duhet t`i bëjë, në disa fusha. Administrata publike është njëra ndër to. Në fakt, në temën time unë kam pasur për qëllim të studioj tri fusha: Menaxhimin e financave publike, menaxhimi i burimeve njerëzore dhe kornizat strategjike. Në menaxhimin e financave publike ka pasur arritje të mëdha por jo edhe në këto dy fushat tjera. Qëllimi imë ka qenë të gjendën shkaqet e ngecjes në dy fushat e lartpërmendura dhe të gjejmë mënyrën se si të bëhen përparime edhe në to”.

Kosova, një temë që ia vlen të studiohet

Lidhur me realizimin e punimit ajo thotë se ka realizuar intervista me menaxherë në Kosovë, me shkencëtarë, me organizata joqeveritare të atjeshme si dhe me menaxherë të OECD-së që përgjigjen për programin SIGMA.

“Unë kam pasur dy qëllime për të zgjedhur këtë temë të diplomës: së pari qëllimi personal të fitoj dituri për Kosovën, nga ana historike, politike etj. Është normale që gjithmonë e kam ndier veten afër me Kosovën, por unë kam studiuar në Zvicër rreth sistemit të këtushëm politik e administrativ, gjithë diturinë e kam pasur për Zvicrën. Qëllimi tjetër ka qenë nga ana shkencore: për Kosovën, që është një shtet në ndërtim ose në zhvillim, ka shumë pak hulumtime shkencore. Prandaj, ka qenë e rëndësishme për mua që të tregoj se është një rast studimi që ia vlen të studiohet. Mundemi ta studiojmë atë me mjetet shkencore qe i kemi, pra nuk është Kosova diçka e shkëputur ose e izoluar. Shpresoj se ja kam arritur këtyre dy qëllimeve, pasi tema ime është botuar si libër nga Universiteti i Lozanës. Botimi është bërë në nëntor 2023”, thotë Drenusha Hajdini (linkun drejt botimit e gjeni këtu: Serval – L’administration publique au Kosovo sous le programme SIGMA de l’OCDE et de l’UE : analyse de quelques domaines de réformes (unil.ch).

Prindërit e Drenushës kanë kaluar studime universitare në Kosovë, por sigurisht, këtu, për shkaqe që dihen, nuk kanë pasur mundësi të zhvillohen në profesionet e tyre. “Prandaj dhe arritjet e mia dhe të tre vëllezërve janë në një mënyrë realizim i dëshirave të tyre. Këtu, më lejoni ta them dhe këtë: duke lexuar Albinfo.ch, portretet e të rinjve shqiptarë në Zvicër që kanë arritje pas vetes, gjithmonë prindërit janë entuziazmuar. Prandaj ndihem mirë edhe tani që ka ardhur edhe radha e vajzës të tyre.

Mesazhi i saj: “Të kesh guxim që të provokosh fatin”

Për Kosovën, ka shpesh paragjykime për papërgjegjësi në punën e shtetit “por mund të them se ka shumë arritje në administratën publike dhe ka mjaft persona që punojnë me përkushtim. Ata me të cilët kam bashkëpunuar kanë qenë shumë të hapur dhe të gatshëm për të ndihmuar. Dhe vetë rinia atje tregon aftësi dhe besim të madh se vendi do të zhvillohet edhe në këtë fushë”.

Mesazhi i saj për rinjtë me rrënjë shqiptare, të interesuar për politikë, që synojnë karrierë në lëmin që ka zgjedhur ajo, e përmbledhur në pak fjalë, është: “Të kesh guxim që të provokosh fatin”. Është me rëndësi të angazhohesh në shoqëri, në shoqata dhe punë gjatë studimeve,etj.

“Por një gjë është me rëndësi të përcjell me këtë rast: Në shoqërinë zvicerane puna dhe arritjet gjithmonë vlerësohen, pavarësisht origjinës tuaj politike, sociale, etnike ose tjetër. Shembulli im e tregon këtë, do të thotë nuk është se prindërit e mi kanë pasur lidhje shoqërore ose kushte ekonomike të mëdha, por shteti zviceran ka ofruar mundësi që i kam shfrytëzuar. E ndiej vetën me fat që kam lindur në Zvicër dhe shumë krenare që sot punoj për Kancelarinë Federale!”