Drejtoria e Doganave me aksion në Manastir dhe Resnjë, konfiskon mbi 700 kilogramë duhan
Departamenti për kontroll dhe hetime pranë Drejtorisë doganore ka kryer aksion në Manastir dhe Resnjë me çrrastë janë konfiskuar 780 kilogramë duhan në vlerë të përgjithshme prej 3,4 milionë denarë.
Siç njoftojnë nga Drejtoria doganore gjatë aksionit u kryen kontrolle në banesa dhe dhoma shërbimi, si dhe në tregjet e qytetit.
“Tre persona do të përgjigjen penalisht, ndërsa një person do të dënohet për kundërvajtje. Nga këto akte në procedurë para hetimore është konstatuar dëm i drejtpërdrejtë në Buxhetin në vlerë prej 2,8 milionë denarë. Përkatësisht, me datën 13.12.2024, pas lëshimit të urdhrit për bastisjen e shtëpisë dhe objekteve tjera ndihmëse nga Gjykata Themelore në Resnjë, inspektorët e Departamentit për Kontroll dhe Hetime kanë kryer bastisje të objekteve ndihmëse që përdoreshin si dyqan nga personi S.T nga Resnja. Gjatë kontrollit janë gjetur rreth 259 kilogramë duhan të prerë. Kontrolle janë kryer edhe në tregun e qytetit, gjatë të cilave personit R.N nga Resnja i janë marrë 100 kilogramë duhan. Të njëjtën ditë, pas lëshimit të urdhrit për bastisje të banesës dhe objekteve të tjera ndihmëse nga Gjykata Themelore në Manastir, bastisja është kryer edhe tek personi F.K, ku u gjetën rreth 283 kilogramë duhan i prerë. Po ashtu, gjatë kontrolleve në tregun e qytetit në Manastir, të njëjtit person i janë marrë edhe 88 kilogramë duhan të prerë, si dhe 49 kilogramë duhan të prerë nga personi T.N”, thonë nga Drejtoria doganore.