Drejtësi kujt? Viktimat Harrohen, Fajtorët Lirohen!
Herolinda Ramadani
Në këtë vend të lodhur nga padrejtësia, tragjeditë e pafundme marrin jetë të pafajshme, ndërsa shteti i kthen shpinën atyre që kërkojnë drejtësi. Tre ngjarje të rënda që kanë tronditur zemrat e qytetarëve tanë vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura, duke lënë fajtorët të lirë dhe familjet e viktimave në dhimbje të përjetshme.
Rasti i Almirit të vogël – Drejtësi e mohuar për një fëmijë 4-vjeçar
Almir Aliu nga Kumanova u vra brutalisht më 25 qershor 2016, kur ishte vetëm 4 vjeç. Një fëmijë i pafajshëm, i cili nuk e dinte as kuptimin e fjalës konflikt, u bë viktimë e hakmarrjes së dikujt që kërkonte të dëmtonte babain e tij. Almiri u godit qëllimisht nga një makinë dhe u vra për shkak të një konflikti personal që as nuk kishte lidhje me të. Dhe ku është vrasësi i tij sot? Ende i lirë! Drejtësia jo vetëm që e ka lënë të lirë, por duket se e ka harruar tërësisht këtë rast tragjik.
Amar Ismani – Një jetë e shuar para pragut të shtëpisë
Një tjetër ngjarje që mbeti pa përgjigje është ajo e Amar Ismanit, 29 vjeç, i cili u vra para derës së shtëpisë së tij, vetëm një javë pas fejesës. Një i ri plot ëndrra dhe plane për të ardhmen, i cili nuk arriti as të gëzojë jetën që kishte nisur të ndërtonte. Ministria e Punëve të Brendshme u përpoq të justifikojë këtë krim duke deklaruar se Amar thjesht ndodhej “në vendin e gabuar, në kohën e gabuar.” Por si mundet që një qytetar të vritet para shtëpisë së tij, dhe kjo të konsiderohet thjesht si një “aksident i rastësishëm”?
Frosina – Viktimë e shpejtësisë dhe krimit të papenguar
Një tjetër tragjedi që la pas një familje të shkatërruar dhe një komunitet të tronditur ishte ajo e Frosinës, e cila u godit nga një *motociklist 20-vjeçar pa patentë shoferi*, me shpejtësi të lartë, i cili kishte një dosje të mbushur me vepra kriminale. Frosina humbi jetën në rrugë për shkak të papërgjegjshmërisë dhe arrogancës së një personi që nuk duhet të kishte qenë kurrë në rrugë, e jo më të drejtonte një mjet motorik.
Një sistem i kalbur – Drejtësi për të fortët, burg për të pafajshmit
Të gjitha këto raste kanë një të përbashkët: shteti i ka lënë pas dore!
Fajtorët janë të lirë, ndërsa drejtësia sillet si një lojë ku viktimat nuk kanë asnjë mundësi të fitojnë. Sa herë kemi parë që njerëz të pafajshëm përfundojnë në burgje, vetëm për t’u dhënë qytetarëve një përshtypje të rreme të sigurisë? Sa herë janë dënuar ata që nuk kanë faj, ndërsa vrasësit e vërtetë shijojnë jetën pa asnjë ndëshkim?
Këto ngjarje nuk janë të rastësishme. Ato janë produkt i një sistemi të kalbur, që përzgjedh me kujdes se cilët raste do të zgjidhë dhe cilat do t’i lërë në harresë. Por qytetarët e këtij vendi nuk do të heshtin përjetë. Drejtësia duhet të triumfojë, sepse në të kundërt, frika, padrejtësia dhe krimi do të bëhen pjesë e përditshmërisë sonë.
A do të zgjohet shteti? Apo do të vazhdojë të mbyllë sytë, duke na lënë të jetojmë në një realitet ku jeta jonë nuk ka asnjë vlerë?