Maqedoni

Dr. Ilir Shabani, drejtor i ri i Klinikës për Sëmundje Ortopedike në Shkup

Dr Ilir Shabani nga Kumanova është drejtor i ri i Klinikës për Sëmundje Ortopedike në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” në Shkup, shkruan “faktor.mk”, transmeton Open-TV.

Dr. Shabani deri më tani ka punuar në ISHP TOARILUC, në Klinikën e Ortopedisë, konkretisht në Departamentin e Aloartroplastikës së Gjurit dhe revizione të endoprotezave.

“Që në moshë të re, mjekësia ishte dashuria ime e parë. Kur isha fëmijë, e vizitoja nënën time në vendin e saj të punës si infermiere në ambulancën e fshatit tonë.

Aty pashë sesi mjeku dhe stafi mjekësor kujdeseshin me shumë përkushtim për të sëmurët dhe ata në nevojë.

Që atëherë i premtova vetes se do të jap maksimumin dhe në të ardhmen do të bëhem si ajo njeri human me rroba të bardha – kështu e quajta mjekun e fshatit. Për të arritur qëllimin kam përdorur gjithmonë libra mjekësorë. Studimet nuk ishin aspak të lehta, por me punë, vullnet dhe entuziazëm arrita atë që kam dashur gjithmonë.

Dita kur u diplomova ishte dita më e lumtur e jetës sime, por dëshira ime ishte të shkoja edhe më lart dhe doja të specializoja dhe zgjodha ortopedinë. Arsyet pse zgjodha këtë degë ishin të shumta, por më e rëndësishmja ishte se shpesh shikoja rreth meje persona me aftësi të kufizuara në gjymtyrë dhe doja t’i operoja dhe t’ua lehtësoja jetën me duart e mia.

Edhe pse kjo punë kërkon përkushtim të madh, studim dhe lodhje fizike e mendore, jam i lumtur që mund të punoj në këtë profesion, sepse mund të ndihmoj njerëzit që më lënë në dorë gjënë më të vlefshme – shëndetin e tyre, dhe kur e shoh këtë si një rezultat pas operacionit tim kthehen në një jetë normale pa barriera, më jep vullnet për të ecur përpara”, kishte shkruar dikur për veten doktor Shabani. (Open-TV)