Doli nga shtypi libri “Dhjetë dëshmorë” i autorit Ismail Bilalli, i kushtohet familjes Zimberi nga Sllupçani
DOLI NGA SHTYPI LIBRI IM I GJASHTË
Doli nga shtypi libri im i gjashti me radhë “Dhjetë dëshmorë, anëtarë të familjes Zimberi të fshatit Sllupçan, të rënë në luftimet e vitit 2001 që u zhvilluan në Maqedoni”-Trajtesë historiko-letrare.
Cilat ishin rrethanat që më nxitën ta shkruaj këtë libër? Në vitin 2001 isha gazetar dhe po të njëjtin vit ndodhën luftimet në mes forcave ushatrako-policore maqeonase dhe UÇK-së, ku më 24 maj, familjes Zimberi iu vranë dhjetë anëtarë. Përveç që isha gazetar, për të shkruar këtë trajtesë ishte edhe detyrimi moral që kemi ndaj kësaj familjeje, që sakrifikoi kaq shumë për kombin.
Në vitin 2001, kur filluan luftimet në mes të forcave ushtarako-policore maqedonase dhe UÇK-së, unë sapo fillova punën si gazetar i gazetës ,,Fakti”, korrespondent nga qyteti i Kumanovës. Nuk ish gazetar profesionist, por me shkrime gazetareske merresha herë pas here dhe kisha publikuar një mori shkrimesh nëpër gazetat e kohës ku kisha trajtuar shumë probleme që silleshin e pështillesh në atë kohë dhe që ndër kryesoret ishin padrejtësitë që iu bëheshin shqiptarëve në të gjitha sferat e jetës. Edhe pse shqiptarët me ardhjen e sistemit shumëpartiak, bënë shumë përpjekje që problemet të zgjidhen ashtu siç thotë drejtësia, pra me drejtësi. Por, nuk patën sukses. Dikush e dëgjoi mendjemadhësinë nacionaliste, e dëgjoi padrejtësinë dhe shkaktoi gjakderdhje. Padrejtësia solli luftën. U derdh gjak. U vranë fëmijë, pleq e plaka. U vranë njerëz të pafajshëm. Vetëm familja Zimberi në këtë luftë i humbi dhjetë (10) anëtarë. Unë si gazetar, por edhe si njeri ndjeva detyrim moral por edhe detyrim historik e kombëtar, që të shkruaj për viktimizimin e kësaj familjeje në vitin 2001.
Bëra aq sa munda. E di se nuk është e mjaftueshme. Për këtë edhe kërkoj falje. Por një fjalë e urtë thotë ,,Më mirë pak, se hiç”.
Ky libër në formë elektronike në internet është publikuar më 24 maj të vitit 2021 me rastin e njëzet vjetorit të rënies së këtyre dëshmorëve. Tani doli edhe si libër i shtypur i cili së shpejti pothuaj tërë botimi do të jetë në shtëpinë e familjes së madhe patrotike Zimberi të fshatit Sllupçan.
Këtë libër me respektin më të thellë ia kam kushtuar familjes Zimberi.