Doktorë, profesorë dhe ekonomistë – Ja kush janë anëtarët e Këshillit të ri Ekzekutiv të LSDM-së
Doktorë, profesorë dhe ekonomistë janë pjesë e Këshillit të ri ekzekutiv të LSDM-së, të propozuar nga kryetari i ri i partisë, shkruan Alsat.
Kovaçevski zëvendësoi 8 nga 17 anëtarët e Këshillit Ekzekutiv që ishin pjesë e kryesisë më të ngushtë në kohën kur Zoran Zaev ishte kryetar.
Ndër anëtarët e Këshillit janë mjekja Snezhana Zaharieva, arkitekti Mishko Ralev, Driton Ismaili, por edhe ish-sekretari i përgjithshëm në kohën e Branko Cërvenkovskit, Andrej Petrov. Kovaçevski paralajmëroi demokratizim dhe riorganizim të partisë, kapitull të ri të LSDM-së dhe ndryshim në komunikimin me qytetarët.
“Fillojmë proces për largimin e tërësishëm të klientelizmit brendapartiak. Kjo është sfidë në të cilën LSDM do të punojë seriozisht dhe do jetë nismëtarë në largimin e klientelizmit nga çdo segment i punës shoqërore. Veçori e udhëheqjes së re do të jenë përgjegjësia, efikasiteti në zbatimin e premtimeve, punë e ndershme dhe llogaridhënie”, tha Dimitar Kovaçevski, kryetar i LSDM-së.
Kovaçevski informon se gjatë zgjedhjes është udhëhequr nga përfaqësimi i barabartë gjinor. Ndërsa nga katër nënkryetarët, këtë funksion do vazhdojë ta ushtrojë vetëm Fatmir Bytyqi, ndërsa në vend të Milla Carovska, Venko Filipçe dhe Oliver Spasovski, kanë ardhur Bisera Kostadinova Stojçevska, Pero Kostadinov dhe Stefan Bogoev.
Opozita akuzoi se ekipi i ri është ekip humbës dhe LSDM mbetet parti oligarkike.
“Asgjë nuk ka ndryshuar në LSDM, po ata që kur thoshin me vete se kanë gjak blu, tani janë në krye të LSDM-së. Kovaçevski është dorë e zgjatur e Zaevizmit. Dimitar Kovaçevski është njeriu që i përkulet Zaevit dhe e mbi-ndërton zaevizmin”, u shpreh Dragan Kovaçki – anëtar i KE-së së VMRO-DPMNE-së.
Nga Bihaçka u përgjigjën se VMRO-DPMNE-ja nuk ka kapacitet të ndryshohet.