Do të mbetemi pa receta për ilaçe? Te Fondi për Sigurim Shëndetësor paralajmërohet grevë
Protestë para Fondit të sigurimeve shëndetësore. Të punësuarit në këtë institucion paralajmërojnë edhe grevë të përgjithshme nëse bordi drejtues i Fondit vendos t’i ulë pagat për 21% nga rroga e janarit. Për të shtatën herë me radhë u mblodh Bordi për të vendosur me rekomandimi të Qeverisë për harmonizim pagash në këtë sektor. Por, nga Sindikata e të punësuarve në Fondin shëndetësor thonë se do të përballen me ulje të funksionimit të sporteleve, nuk do të ketë pagesa të kapitacionit për mjekët amë, për barnat për farmacitë, për pagat në shëndetësinë publike, por edhe shërbime të tjera në sektorin e shëndetësisë.
“Nëse na ulin pagat do të aktivizohet vendimi ynë për grevë, i cili u mor vjet në nëntor. Kjo do të thotë se 25% e të punësuarave do të bien nën pagën minimale dhe 25% të tjerët vijnë në pragun e pagës minimale. Kjo nuk është e lejueshme për këtë institucion që ka në dispozicionin buxhetin më të madh në shtet, institucion që ta them popullorçe ‘kujdeset për paqen sociale në vend’. Nga ky fond paguhen të gjitha pagat e të punësuarave në sistemin shëndetësor, doktorët, administrata shëndetësore, financohen të gjitha sektorët e shëndetësisë private”, tha Branko Agjigogov, Kryetar i Sindikatës së të punësuarave në FSSH.
Nga Sindikata e SPOGJ thonë se Fondi shëndetësor është i pavarur dhe Qeveria nuk ka kompetenca të kërkoj që atyre tu ulen pagat. Tërpe Deanovski, tha se pas 8 muajsh negociata me kryesinë mezi kanë arritur tu bëjnë ngritje prej 15% të pagave, kurse tani ju kthejnë “boomerang” me 21% ulje të pagave.
“Kolegët që janë pas nesh, janë vetëm nga godina kryesore në Shkup dhe kanë pagat më të ulëta si administratorë në shtet. Kryejnë lëndë që kanë vlerën qindra mijëra euro, disa edhe miliona euro. Qojmë pacientë në mjekime jashtë shtetit! Kemi doktor, farmacistë e inspektorë që marrin nga 25-27 mijë denarë, që është nën dinjitetin njerëzor. Kjo kërkesë ishte e ministrit të financave Fatmir Besimi, dhe në Qeveri u vendos të ulen pagat 21%, nuk e di çfarë shpirti ka ai njeri”, u shpreh Tërpe Deanovski, Kryetar i SPOGJ.
Me këtë problem janë të prekur 831 të punësuar në Fondin e sigurimeve shëndetësore në gjithë vendin. Buxheti vjetor i Fondit shëndetësor është mbi 46 miliard denarë ose rreth 750 milion euro në vit, por për pagat e të punësuarave të vet ndan mesatarisht 1,19% në vit. Sipas sindikalistëve Bordi i Fondit përbëhet nga 6 persona, 3 pre prej të cilëve përkrahin punëtorët, dy përkrahin drejtorinë dhe njëri është neutral./Alsat.mk