Kolumna

Do ta puthë dheun, tokën, diellin!

SHKRUAN: NEHAT JAHIU

Gjithnjë të kam dashur si sytë e ballit dhe kurrë nuk të kam harruar, sepse tek t’i linda, u rrita dhe dua të vdes. Nuk do të harroj edhe pas vdekjes sime, sepse tek varri im do të mbulohem me dheun e tokës tënde. E kjo toka jote është e imja, o vendlindje e dashur, o tokë e atdheut tim. Tek ti kalova ëndrrat më të bukura të fëmijërisë sime. Tek ti u rrita me dashurinë tënde duke të përqafuar dhe duke të puthur çdo ditë e çdo natë.

Dashurinë tënde do ta marr me vete edhe atëherë kur të iki nga kjo botë tek varri im. Do ta marr me vete edhe në botën tjetër këtë dashuri, sepse unë nuk njoh tjetër dashuri më të madhe e më të ëmbël, se këtë që kam për ty. Kjo tokë ka aromën më të këndshme që quhet vendlindje, quhet atdhe. Kudo që të shkoj këtë dashuri askund nuk mund ta gjej, përveçse tek ti vendlindja ime bukur dhe e dashur.

Te këta varre janë të parët e mi që u lindën, u rritën brez pas brezi dhe sot ata pushojnë në tokën tënde që ndër shekuj u ujit me djersë e gjak. E si mund të harroj unë ty, i dashuri mëmëdheu im? Kujtimet për ty kurrë nuk më janë shuar dhe as që do të më shuhen ndonjëherë. I kam mbjellur thellë e më thellë në shpirtin tim. Nuk e di sa e sa herë e kam puthur dheun, gurin e shkëmbin e kësaj toke! Vetëm unë e di këtë.

Ti gjithnjë më dhe më të ëmblën dhe më të dashurën që unë doja, dashurinë tënde me të cilën u rrita dhe jetova tek ti. Dashuria jote më ka mbajtur gjallë. Më ka bërë shumë të fortë dhe kurrë nuk më ka lëkundur që ta kthej shpinën. Unë të kam dashur shpirtërisht, ashtu siç duhet dhe siç meriton të duam.

Ti je vendi më i bukur në rruzullin tokësor. Me asgjë dhe me askënd nuk të ndërroj ty. Ti ke qenë djepi im që më ke përkundur në djepin tënd. Ti m’i ke falur ëndrrat më të bukura. Ti ishe dhe mbete dashuria më e madhe për mua.

Unë nuk mundem të harroj kurrë ty. Ti ke një aromë dhe një shije që nuk e ka askush, pra unë nuk mundem ta gjej askund në botë. Sa herë që unë përmallohem për ty, ndalem e të vështroj në çdo anë. T’i vështroj fushat e malet, ta puth tokën e diellin, atdheu im i dashur dhe i paharruar.