July 8, 2024
Maqedoni

Dita botërore e sklerozës së shumëfishtë, Shoqata “Mobiliteti” kërkon ilaçe të reja

Shoqata “Mobiliteti” protestoi në mënyrë paqësore dhe u dërgoi një mesazh autoriteteve se duhet të shihen dhe duhet të kenë mundësi të barabarta për personat me sklerozë të shumëfishtë sikur personat e tjerë. Zbulimi i hershëm i sëmundjes është vendimtar, thonë ata, por medikamentet për mjekim nuk janë specifikë, janë vetëm imunomodulues, por nuk janë të disponueshëm në numër të mjaftueshëm.
“Të sillen ilaçe të reja që në vendet e zhvilluara i shfrytëzojnë personat me sklerozë të shumëfishtë.”, – thonë nga Shoqata “Mobiliteti”.
Personat me invaliditet dhe me probleme tjera apeluan për përfshirje më të madhe të mjekëve të Neurologjisë.
“Këta persona që janë këtu, të gjithë janë me probleme neurologjike. Me përjashtim të disa mjekëve, mjekët e bordit drejtues, që vendos se kush duhet të dërgohet, fatkeqësisht nuk janë këtu.”, – tha një person me invaliditet.
Ministria e Punës dhe Politikës Sociale thotë se do të ketë shumë sfida për Qeverinë e re për t’i ndihmuar këta njerëz që të bëjnë një jetë dinjitoze.
“Duhet ndihmuar personat me aftësi të kufizuara, edhe atë me hapa të shpejta, sepse gjendja e tyre shëndetësore duhet të jetë sfidë për të gjithë ne, që t’ua lehtësojmë jetën këtu në Shkup dhe në tërë vendin.”, – thonë nga MPPS.
Edhe kryetari i komunës së Gazi Babës iu bashkua marshit  të personave me aftësi të kufizuara fizike “Mobiliteti” për t’i përkrahur ata.
“Qëllimi i kësaj është që të ngritet vetëdija publike dhe të gjithë ne në shoqëri të punojmë në përmirësimin e kushteve të këtyre personave. Ne, komuna e Gazi Babës, kemi bashkëpunim të mirë me shoqatat me aftësi të kufizuara.”, – deklaroi kryetari i komunës së Gazi Babës, Boban Stevkovski.
Çdo 5 minuta në botë një person diagnostikohet me sklerozë të shumëfishtë. Qëllimi i marshit është të ndërgjegjësojë publikun për problemet me të cilat përballen personat me sklerozë të shumëfishtë dhe nevojat e tyre specifike për një јеtë më cilësore dhe përfshirje sociale.