Distria Krasniqi, zgjidhet xhudistja më e mirë në botë për vitin 2021
Xhudistja nga Kosova, Distria Krasniqi ka fituar çmimin e më të mirës në botë në sportin e xhudos për vitin 2021.
Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF) ka filluar ndarjen e çmimeve për më të mirët për vitin 2021 (‘Judo Awards 2021’) pasi tashmë është mbyllur votimi.
Nga votimi i filluar më 10 dhjetor e që zgjati deri më sot (18 dhjetor), të nominuarit nga Kosova u zgjodhën më të mirët në kategoritë e tyre.
Fillimisht Driton Kuka u zgjodh trajneri më i mirë në botë për vitin 2021 në xhudo, ndërsa pas tij edhe Distria Krasniqi fitoi shumicën e votave në garën për xhudisten më të mirë në botë.
Kështu, xhudistja pejane, Distria Krasniqi zgjidhet xhudistja më e mirë në botë për vitin 2021.
Distria Krasniqi në këtë garë arriti të mposht emra si Clarisse Agbegnenou, Abe Uta, Anna Maria Wagner dhe Jessica Klimkait.
Ndryshe, Distria ishte e jashtëzakonshme këtë vit duke fituar medaljen e artë olimpike, ndërsa të artën e fitoi edhe xhudistja tjetër, Nora Gjakova.