Disa fshatra të Strugës përballen me mungesë të energjisë elektrike, ky është shkaku
Katër ditë me radhë rreth 250 banorë në disa fshatra malore të Strugës, në zonën e malit Jabllanicë dhe në zonën e Malësisë janë pa energji elektrike, shkruan Alsat.
Në temperatura nën zero dhe borë që në disa vende arrin deri në 80 centimetra, jeta këtu po bëhet e padurueshme. Në këto fshatra jetojnë shumë të moshuar, disa prej tyre janë edhe të sëmurë. Në disa fshatra rrugët nuk janë pastruar plotësisht. Rruga nga Mislodezhda deri në Prisvojan është e kalueshme vetëm për automjete të terrenit, e njëjta vlen edhe për Vishnin dhe Belicën e Epërme, ndërsa për në Drenok nuk është pastruar plotësisht.
“Tashmë katër ditë nuk kemi rrymë. Rruga është e ngushtë, disa vende nuk është fare e kalueshme. Disa rrugë të lagjeve janë ende plotësisht të shkëputura. Tani takova një grua që më tha se fëmijët nuk shkojnë në shkollë se nuk ka rrugë. Me energjinë elektrike është shumë keq, të gjitha nevojat janë tashmë me energji elektrike. Njerëzit kanë edhe frigoriferët plot, ushqimi do të prishet“, tha Ilija Çokleski, banor i Jabllanicës.
Në Jabllanicë nuk ka dyqan, prandaj është e nevojshme të udhëtojnë në Strugë për ushqim.
Shkolla lokale në Jabllanicë ka 35 fëmijë, kurse mësimi zhvillohet në kushte të vështira, ndërsa orët janë të shkurtuara. Rrymë disa ditë nuk kishte as në fshatrat e komunës së Debërcës. Disa prej tyre janë të banuara kryesisht nga të moshuar dhe rrjetet e telekomunikacionit nuk kanë funksionuar.
“E tmerrshme, mesjetë. Nuk mund të gatuash asgjë për të ngrënë, sepse ne nuk kemi sobë druri, nuk ka dritë. Shkojmë në tualet me llambë telefoni. Rrimë ashtu me xhup, këpucë. Të shtunën dhe të dielën kemi fjetur në një hotel në Ohër dhe të hënën jemi kthyer në Shkup. Askujt nuk i intereson. Kam thirrur Qendrën e Menaxhimit të Krizave në nivel kombëtar dhe në Ohër. Përgjigja është se ata mund të veprojnë nëse dikujt i rrezikohet jeta”, u shpreh Jelena Milojeviç, banore e Debërcës.
“Tashmë është e zakonshme që pas çdo reshje të tillë të dëborës të ketë defekte të tilla dhe të mos mund të rregullohen me ditë të tëra. Dua të shpreh revoltën e qytetarëve të Debërcës, por edhe t’u bëj thirrje operatorëve kompetentë që të marrin masa parandaluese në lidhje me rrjetet e tyre që ata menaxhojnë. Sa i përket rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike në zonën e Debërcës, jemi duke punuar në një pjesë të madhe të rrjeteve të vjetruara që nuk janë rikonstruktuar me dekada”, theksoi Zoran Nogaçeski – Kryetar i Komunës së Debërcës.
Nga EVN thonë se pritet që gjatë ditës të normalizohet furnizimi me energji elektrike në fshatrat e rajonit të Strugës.
“Ekipet e Shpërndarjes Elektrike janë në terren dhe pa ndërprerje po punojnë në sanimin e defektit në kushte shumë të vështira dhe po përballen me terren të pa qasshëm. Momentalisht pa energji elektrike janë fshatrat Jabllanicë, Lokovë, Sellcë, Rzhanovë dhe Burinec”, njoftojnë nga EVN.
Punimet kryhen në terrene të paarritshme me borë nga 50 deri në 60 centimetra./Alsat.mk