Dimitrievski thirrje Ahmetit: Mos i këndo Keçë Hysenit, këndoj “Sami Frashërit” në Kumanovë
Kur e pa videon e kreut të BDI-së duke kënduar, kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski i bëri thirrje Ali Ahmeti të shkojë e të këndojë edhe në shkollën Teknike dhe tek gjimnazi “Sami Frashëri” në Kumanovë dhe ta sheh gjendjen se ku mësojnë nxënësit shqiptarë.
“Unë i bëj thirrje z.Ali Ahmeti të vijë e të këndojë në shkollën Teknike, paralelet në gjuhën shqipe dhe t’i shohë kushtet në të cilët mësojnë nxënësit edhe në paralelet e Teknikës, por edhe në gjimnazin “Sami Frashëri” dhe ta zgjidhim problemin”, tha Maksim Dimitrievski, kryetar i Kumanovës.
Dimitrievski fajëson pushtetin për moszgjidhjen e këtij problemin. Sipas tij ka mungesë vullneti, sepse po të kishte një gjë të tillë, dislokimi dhe objekti i ri për gjimnazin “Sami Frasheri” dhe për shkollën Teknike paralelet në gjuhën shqipe do të ishte bërë moti kohë.
“Nëse do të kishin dashur deri tash do ta kishin zgjidhur problemin, por nuk kanë dashur. Vitin e fundit treguan një iniciativë, u ndanë mjetet por nuk bënë projekt. Tani komuna po e përgatitë projektin, do ta përfundojmë, do të aplikojmë dhe do të fillojmë me zgjidhjen sistematike”, deklaroi Maksim Dimitrievski, kryetar i Kumanovës.
Projektin nga komuna e Kumanovës, po e pret edhe ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri. Tha se mjetet për objektin janë ndarë dhe kur të arrijë projekti, për 10 ditë brenda afatit ligjor do të organizojnë procedurën për zgjedhjen e operatorit ekonomik për ndërtimin e shkollës.
“Deri më sot komuna e Kumanovës ka dorëzuar një miratim deri tek ministria e Arsimit për dedikim të pjesës në objektin i cili duhet të ndërtohet dhe kam marrë përgjigje pozitive nga ana e ministrisë. Ka mbetur që të projektohet projekti përfundimtarë, nuk është dorëzuar deri në momentin që po flasim. Shfrytëzoj mundësinë dhe rastin të bëj maksimumin qyteti i Kumanovës sepse për këtë viti janë paraparë rreth 60 milion denarë nga buxheti i MASH për atë institucion, por gjithashtu edhe për vitin tjetër janë paraparë edhe 70 milionë”, pohoi Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Mbi 20 vite gjimnazi “Sami Frashëri” dhe shkolla teknike në Kumanovë presin objekt të ri. E nxënësit e mjekësisë, në mungesë të hapësirave, mësojnë nëpër baraka.