“Dihet se kush e kërcënon Kosovën”, Osmani dhe Vuçiq përplasen ashpër në Pragë
Presidenti serb Vuçiq dhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, shkëmbyen akuza ndaj njëri-tjetrit në distancë në panelet e diskutimeve në Pragë.
Vuçiq kërkoi nga Bashkimi Evropian një reagim “konkret dhe të qartë” për, siç tha, mbrojtjen e serbëve në Kosovë.
“Serbia mbetet partnere e përgjegjshme e BE-së në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Prishtinën, por do t’i përdorë të gjitha mjetet diplomatike në dispozicion, për të mos lejuar terrorin kundër popullit të saj. Në menyrë të “ngadaltë por me siguri” e gjithë bota ka filluar të kuptojë se kush është ai që në të vërtetë dhe në themel po krijon probleme në rajon. Është e rëndësishme që KFOR-i, si dhe NATO, të mbajnë pozicionet e tyre të lidhura fort me urën në Ibër”.
Nderkaq, presidentja Vjosa Osmani akuzoi palën serbe që nuk i ka zbatuar deri tani marrëveshjet e nënshkruara me Kosovën nën ndërmjetësimin e BE-së.
“Serbia duhet të heqë dorë nga financimi dhe mbështetja politike për grupet ilegale kriminale që veprojnë në Kosovë. Ata që realizuan sulmin e Banjskës strehohen në territorin serb dhe nuk janë gjykuar. Ata që po vuajnë më shumë këto 10 vitet e fundit nga këta gangsterë mafiozë të mbështetur nga Vuçiç janë qytetarët e etnisë serbe që jetojnë në Kosovë të cilëve ju kërcënohen familjet e pasuria e tyre. Serbia është një shtet që vetëm 46% të politikës së jashtme e ka të njehsuar me atë BE-së, madje merr ndihmë financiare sa të gjitha shtetet e tjera të rajonit së bashku. Ky shtet është tërhequr nga zbatimi i marrëveshjes së Ohrit me deklaratat se nuk ishte juridikisht e detyrueshme për ta. Ne jemi në situatën kur Brukseli duhet të na trajtojë në mënyrë të barabartë pavarësisht se dihet se kush e kërcënon Kosovën”.
Ndërkaq i dërguari i Bashkimit Evropian për Dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka thënë se ekziston rreziku për destabilizim të Ballkanit Perëndimor, nëse palët nuk angazhohen në dialog dhe vazhdojnë qe të bëjnë veprime të pakoordinuara e të ngutshme.