Maqedoni

Dhjetëra mijëra qytetarë në Maqedoni nuk mund të pajisen me letërnjoftime

Më shumë se 30 mijë qytetarë për momentin nuk mund të marrin një kartë identiteti të re, sepse projektligji për kolonën etnike në dokumentet personale është bllokuar në Kuvend.

“Numri i dokumenteve të pa lëshuara po rritet çdo ditë, megjithëse që nga fillimi i korrikut qytetarët tashmë kanë aplikuar, kanë bërë fotografi dhe kanë paguar për dokumentet e reja.

Nga data 05 deri më 31.07.2021, 26.314 qytetarë paraqitën kërkesa për karta identiteti, ndërsa nga 01-06.08.2021, 4.864 kërkesa për letërnjoftime u morën nga qytetarët”, njoftoi “Deutsche Welle”.

Për momentin, thonë nga Ministria e Brendshme, kjo ndodh sepse ligji është ende në Kuvend

Ligji për kartat e identitetit, i cili është paraqitur në Kuvend që nga marsi, është bllokuar nga opozita me 1.506 amendamente, edhe pse zbatimi i tij duhet të hyjë në fuqi më 1 korrik.