Dëshmorët kanë vetëm ditëlindje: Sot është ditëlindja e Ismet Jasharit-Komandant Kumanovës
Ismet Jashari (16 Prill 1967 – 25 Gusht 1998)
i njohur si Komandant Kumanova, ishte njëri nga komandantët dhe luftëtarët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së), i cili ra dëshmorë më 25 gusht të vitit 1998 gjatë luftimeve të ashpra me forcat serbe në Kleçkë të Kosovës. Në kujtesë të tij është themeluar Brigada 113 e UÇK-së me emrin e tij gjatë Luftës në Maqedoni.
U lind më 16 prill 1967 në fshatin Orizare të Komunës së Likovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje për ta vazhduar shkollimin e mesëm në Kumanovë. Si gjimnazist nis të merret me aktivitet patriotik dhe shpejt bie në sy të pushtetit të atëhershëm dhe përjashtohet nga bankat shkollore, por Ismeti shkollimin do ta vazhdon në gjimnazin “Skënderbeu” në Preshevë. Gjatë kësaj kohe vazhdimisht përcillet nga organet e sigurimit shtetëror, për çka detyrohet që në gusht të vitit 1988 të migron në Zvicër, ku vazhdon veprimtarinë e tij patriotike me shumë shokë të tjerë të idealit.
Në diasporë, nëpër shumë tubime, demonstrata e ndeja nëpër oda Ismeti do të shprehet: “LIRIA E NJË POPULLI FITOHET VETËM DHE VETËM ME GJAK”. Këtë dëshirë dhe ideal do ta bej realitetit. U thotë lamtumirë të gjithëve me radhë: gruas, vajzave, farefisit, shokëve dhe miqve, të gjithëve që i donte dhe e donin duke iu përgjigjur thirrjes “ATDHEU NË RREZIK – VENDLINDJA THËRRET” niset për në tokën arbërore dhe radhitet ndër të parët e luftëtarëve të lirisë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së).
Me të ishin: Fatmir Limaj, Haxhi Shala, Xhevë e Fehmi Lladrovci e shumë e shumë patriotë të tjer që nga diaspora do të vijnë të futen në zonat e okupuara të Drenicës legjendare aty ku Komandanti legjendar ADEM JASHARI la amanet se: “KURRË KËTO TROJE NUK KANE QËNË DHE NUK DO TË JENË SLLAVE, KANË QENË DHE DO TË JENË PËR MOTË E JETË TOKË SHQIPTARE”.
Këta ishin trimat e lirisë që reflektonin shpresë dhe frymëzim për të gjithë ushtarët dhe popullatën civile. Ishin KUMANOVA, ÇELIKU, e TOPI dhe shumë trima të tjer të lirisë që shiheshin kudo në Kosovë, ata ishin në Likovc, Drenovc, Lladrovc, Kleçkë, Qafë Dulë, Malishevë, Jezerc ishin gjithëkund, ishin 1,2,3 u bënë shumë e më shumë. U bënë mijëra e mijëra trima që nuk kursyen më të shtrenjtën – Jetën e tyre për liri dhe atdhe. Komandant Kumanova ishte gjithkund, në flakë e barot, në mesin e shokëve, në mesin e popullatës ai ishte shok, ushtar dhe njëkohësisht komandant.
Më 25 Gusht 1998 në një aksion të guximshëm duke luftuar ballë për ballë me Forcat Serbe, Ismet Jashari bie dëshmorë për të mbetur YLL I PASHUAR I LIRISË.
Liria është më e shtrenjtë se çdo gjë tjetër, dëshmorët janë të pavdekshëm, amaneti i tyre është shumë i fuqishëm.
Falë gjakut që derdhën Ismeti dhe mijëra dëshmorë e martirë të tjerë të kombit, sot Kosova gëzon pavarësinë si shteti më i ri në botë. ISMET JASHARI më 25 gusht 2009 shpallet Hero i Kosovës.
ISMET JASHARI e deshti më shumë lirinë se jetën, e deshti më shumë atdheun se veten, ai bëri shumë për të gjithë ne. Ne gjithmonë do ta nderojmë atë.
Në kohën e regjimit komunist jugosllav shumë shqiptarë ishin të përndjekur, të burgosur, të torturuar madje edhe të likuiduar. Shtypja e vazhdueshme mbi popullin shqiptarë do të detyron popullatën në Kosovë e gjeti të organizohet në luftë të armatosur kundër regjimit të satrapit Millosheviq.
Dalja në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së), do të bëjë që shumë djem e vajza të radhiten nën emblemën e kësaj ushtrie të lavdishme. Ndër ta ishte edhe Ismet Jashari, djalë i ri dhe shumë modest që me veprën e tij do t’ia ngritë lavdinë familjes, Orizares, UÇK-së dhe do të bëhet krenaria e Kombit Shqiptar.