Deputetja nga Tetova po ia zbardh fytyrën BDI-së, ka mbaruar studimet me notë mesatare 10.00
Fisnike Bekteshi Shaqiri ka lindur më 26 qershor 1988 në fshatin Gajre të Tetovës. E martuar dhe nënë e dy vajzave. Shkollimin fillor kreu në fshatin Gajre, kurse shkollimin e mesëm në shkollën “Kiril Pejçinoviq” – Tetovë me sukses të shkëlqyeshëm. Studimet në Fakultetin Juridik i vazhdoi në Universitetin e Tetovës në vitin 2007. Në vitin e tretë të studimeve u zgjodh nga Rektori i Universitetit të Tetovës si ,,Studente e dalluar” me mesatare 10.00. Gjithashtu në të njëjtin vit u zgjodh si studentja më e mirë në universitet dhe nga Forumi Rinor Islam. Në vitin 2010, sapo mbaroi studimet, u angazhua si asistente në Fakultetin Juridik. Studimet e ciklit të dytë i vazhdoi në Universitetin e Tetovës në vitin 2010 në vitin 2013 mori titullin magjistre e Shkencave Juridike. Në vitin 2013, u zgjodh këshilltare në Komunën e Tetovës gjatë periudhës (2013-2017). Në vitin 2014 regjistroi studimet e ciklit të tretë në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup dhe mori titullin shkencor Doktor i shkencave juridike. Më 25 gusht 2020 zgjidhet deputete në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Njëkohësisht është profesoreshë universitare në Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës.
Intervistoi | Donika Bakiu
Nistori: Me çfarë përballen gratë në politikë?
Fisnike Bekteshi Shaqiri: Si gjithçka në jetë dhe politika ka sfida e vështirësi, por ka dhe mundësi për të kontribuar pozitivisht, për të punuar ndershmërisht për një jetë dhe të ardhme më të mirë, për të gjithë në përgjithësi dhe për gratë në veçanti! Gruaja nuk trembet nga të panjohurat, nuk mendon vetëm për familjen e vet, por ofron talentin, sinqeritetin, përkushtimin, butësinë, këmbënguljen, ngre zërin, përballet me burrat, por dhe bashkëpunon me ta, bën të gjitha përpjekjet që e ardhmja e fëmijëve tanë të jetë më e mirë se e jona. Ditët më të mira në jetë nuk janë ato që kemi kaluar, ditët më të mira janë përpara nesh. Në botë ka shumë emra zonjash që inspirojnë breza me radhë. Janë, serioziteti, përkushtimi, dashuria për vendin e tyre, arti i të bërit politikë që i bën të tillë këto emra. Unë besoj fortë se çdo grua e ka vullnetin, përgatitjen e kurajon që, ashtu siç rrit me përkushtimin maksimal fëmijët e saj, me të njëjtin përkushtim të kontribojë në jetën politike në vend.
Nistori: Sipash jush a duhet të kemi gra bartëse liste si p.sh. në Zonën Gjashtë?
Fisnike Bekteshi Shaqiri: Gratë duhet kultivuar si kandidate ose udhëheqëse dhe duhet t’u jepet mbështetje sikurse kandidatëve meshkuj.
• Reforma gjithëpërfshirëse zgjedhore dhe rritja e pjesëmarrjes së grave në proceset politike do të paraqesë mundësi të rëndësishme për një vend për të forcuar besimin në sistemin politik.
Shumë gra janë të gatshme për tu përballur me sfidat e mëdha në politikë, si duke qenë bartëse liste për këshilltar ,poshtu edhe si kandidate per Kryetare Komune ,duke thyer tabut se këto pozita udhëheqëse u takojnë vetëm burave. Që të arrihet një pjesëmarrje kuptimplote e grave në politikë kërkon ndërtimin e kapaciteteve të grave kandidate, duke rritur hapësirën brenda partive politike dhe duke nxitur vullnetit politik mes udhëheqësive partiake për mbështetjen e grave në çfarëdo lloj pozite udhëheqëse.
Nistori: Si një e re në Parlament na thoni si u ndihmoni të rinjve?
Fisnike Bekteshi Shaqiri: Rinia dhe politikat rinore janë prioritet kryesorë i neve deputetëve të rinj! Unë dhe disa deputetë tjerë, që jemi të moshës më të re në përbërjen e tashme parlamentare, bëjmë pjesë tek ,,Klubi i deputetëve të rinj ” dhe jemi seriozisht të fokusuar në hartimin dhe zbatimin e politka rinore.Java e kaluar mund të veçohet takimi me organizata rinore që u zhvillua mes deputetëve dhe rinisë. Në këtë takim u hapën disa pyetje dhe rekomandime. Një temë e rëndësishne ishte nisma për garantimin ligjor të organizimeve në shkollat e mesme ,diçka që klubi do ta punojë së bashku me nxënësit e shkolla të mesme dhe OJQ-të në periudhën e ardhshme. Një çështje tjetër që duhet të ndërmerret se si të lehtësohet regjistrimi i të rinjve të papunë në sistem. Klubi së bashku me organizatat rinore do të punojnë për të siguruar regjistrimin elektronik në bazën e të dhënave të të papunëve.
E rëndësishme dhe urgjente është mbështetja e shëndetit mendor të të rinjve, temë që klubi e ka punuar deri më tani dhe do të avokojë për strategji. Poashtu një nga temat kryesore është se si të zbatohet Ligji për pjesëmarrjen e të rinjve dhe politikat rinore. Ngritja e qendrave lokale rinore dhe këshillave rinore nëpër komuna është veçanërisht e rëndësishme. Klubi do të shkojë në vizita në terren dhe diskutime me të rinjtë për këtë temë.
Nistori: A duhet të ndryshohet kuota gjinore në lista?
Fisnike Bekteshi Shaqiri: Aspirata e gruas për të luajtur rol në politikë është e hershme, por ky synim ende mbetet sfidues. Me aplikimin e sistemit të kuotave pjesëmarrja e gruas në politikë është rritur, megjithatë qasja e saj në vendimmarrje mbetet e izoluar.
Kuotat duhet të shihen vetëm si masë e përkohshme derisa nuk përjashtohen barrierat për hyrje të grave në politikë. Përmes kuotave synohet drejt rritjes së përfaqësimit të grave për shkak se problemi i cili duhet të adresohet është nënpërfaqësimi i grave, të cilat edhe pse në shumicën e vendeve përbëjnë më shumë se 50% të popullatës, në nivel global më pak se 24% të deputetëve janë gra.
Kuotat duhet të jenë vetëm një mjet për konsolidim të përfaqësimit të fuqishëm të grave.
Kuotat mund të nxisin gratë që të hyjnë në politikë dhe të jenë të suksesshme, përmes rritjes së aspiratave dhe tejkalimit të stereotipeve.
Kuotat mund t’i inkurajojnë gratë që të investojnë më shumë për arsimimin e tyre, karrierën dhe potencialin udhëheqës përmes sigurimit të një stimuli ose mundësie për avancime politike apo në biznes.Gratë si qytetarë kanë të drejtë për përfaqësim të barabartë.Eksperienca e grave është e nevojshme në jetën politike.Meshkujt nuk mund t’i përfaqësojnë interesat e grave.Shumë konventa ndërkombëtare për barazi gjinore kanë vendosur targete për përfaqësim politik të grave, duke përfshirë edhe Konventën për eliminim të të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave (CEDAW).Fuqizimi i gruas në politikë dhe vendimmarrje nuk duhet parë thjesht si një përmbushje obligimi, por si potencial intelektual për një qeverisje të mirë dhe stabile në shoqëri.
Gratë nuk duhet të shihen si kuotë por si kualitet në shoqëri ! Andaj jam për përfaqësim të barabartë të femrave në listat zgjedhore në Republikën e Maqedonisë në nivel parlamentar dhe lokal, përmes rritjes së kuotave gjinore 50:50 si dhe në nevojën për më shumë femra kryetare të komunave,poashtu përfaqësim më i lartë i grave në pozitat udhëheqësesi si dhe në pushtetin ekzekutiv dhe organet tjera shtetërore të themeluara me Kushtetutën dhe ligjet,si dhe në institucionet që kryejnë punë me interes publik, ose autorizime të besuara publike, institucione, fonde, agjenci, si dhe ndërmarrje publike.
Nistori: Cila është kerkesa juaj konkrete që keni bërë për të rinjtë në parlament?
Fisnike Bekteshi Shaqiri: Kërkesat për realizimin e poltikave rinore nuk duhet ndalur sepse nga të rinjtë varet e ardhmja e këtij vendi. Pranverën e kaluar, si deputetë ftuam të rinj, nxënës, studentë dhe ekspertë të fushës së psikologjisë dhe shëndetësisë për të dëgjuar se si është situata reale dhe si COVID -19 ka ndikuar në shëndetin mendor të të rinjve. Si rezultat, kjo çështje u ngrit për herë të parë në këtë nivel në Kuvend.
Këtë vit klubi ka diskutuar dhe identifikuar vazhdimisht mënyra për të përfaqësuar të rinjtë në kuvend. Janë organizuar takime me grupe të ndryshme të rinjsh dhe deputetëve ,të cilët kanë qenë të hapur ndaj ideve, problemeve dhe sugjerimeve të tyre dhe si përfaqësues të të rinjve në kuvend.
Prioritetet përfshijnë pjesëmarrjen lokale, mundësitë e organizimit lokal, financimin e të rinjve, zbatimin e politikave rinore dhe fusha të tjera. Në vitet në vijim do të punohet më intensivisht për çështjet e rinisë dhe Kuvendi të jetë vendi ku dëgjohet zëri i të rinjve.
Nistori: Një mesazh pse duhet të kyçen të rinjtë në politikë?
Fisnike Bekteshi Shaqiri: Të rinjtë kanë demonstruar kapacitete për zgjidhjen e problemeve të tyre sociale, inovacionit, angazhimit dhe potencialit. Është për të ardhur keq të mos e përdor fuqinë që e ka rinia.Në një demokraci përfaqësuese, institucionet duhet të përfaqësohen nga qytetarë të ndryshëm dhe të rinjtë janë një nga grupet që duhet të përfaqësohen. Pa zërin e tyre në politikë nuk do të prezantohen nevojat dhe idetë reale të këtij grupi qytetarësh.
Të rinjtë të ngrejnë zërin për të kërkuar zbatimin e të drejtave të tyre,
Të ngrejnë zërin pēr rritjen e përfaqësimit të tyre në procesin e vendimarrjes për problemet që prekin rininë. Rinia është ajo grupmoshë e popullsisë, nga e cila varet e ardhmja e ecurisë së një vendi, e ardhmja e një populli. Mbajta e kësaj pjese vitale të popullsisë dhe që premton shumë për vendin, le të kthehet në angazhimin maksimal pēr të gjithë ne!Rinia është “mushkëria” e vendit, le ta trajtojmë me kujdesin maksimal, në mënyrë që shteti ynë të mos vuaj nga mungesa e frymëmarrjes.
Nistori: Sa e kanë të vështirë gratë te ne të ndikojnë në politikë?
Fisnike Bekteshi Shaqiri: Rëndësia e pjesëmarrjes së grave në politikë është e njohur ndërkombëtarisht. Konventa për t’i dhënë Fund Diskriminimit Ndaj Grave (CEDAW) u bën thirrje shteteve nënshkruese që të sigurojnë të drejtën e barabartë të grave për të qenë të pranueshme dhe për të mbajtur poste publike. Kur gratë janë të fuqizuara si udhëheqëse politike, ato vende zakonisht shkojnë drejt standardeve më të larta të jetesës dhe zhvillimeve pozitive në arsim, infrastrukturë, dhe shëndetësi. Zgjerimi i pjesëmarrjes në politikë me përfshirjen e grave mund të përmirësojë funksionimin e qeverive, legjislativit dhe partive politike, dhe mund të ndihmojë qeveritë të sigurojnë përfitime më të prekshme për qytetarët.
Megjithatë, përfshirja e grave në politikë nuk është vetëm një çështje shifrash, por edhe një çështje zëri. Theksi duhet të qëndrojë fort tek nxitja e një pjesëmarrjeje më të madhe të grave në vendimmarrje.Duhet të mbështesim idenë e një pjesëmarrjeje më të madhe të grave në vendimmarrjen qëndrore dhe lokale sepse gratë mund të sjellin ndryshim,nxitje të barazisë gjinore dhe zhvillim.Nëse gratë mund të kujdesen për një familje të shëndoshë,gratë mund të kujdesen edhe për një shtet ligjor! /Nistori/