Maqedoni

Deputetja Imërlije Saliu: Do të përfaqësoj të gjitha gratë, qofshin ato me mbulesë apo pa mbulesë

Në zgjedhjet e 8 majit në Maqedoninë e Veriut u zgjodhën 41 deputete femra, nga 120 deputetë sa ka Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.

Njëra prej tyre është Imërlije Saliu, e cila mes të tjerash, do të mbahet mend si deputetja e parë me mbulesë në historinë parlamentare.

Saliu në një intervistë për TRT Balkan, tha se do të përfaqësojë të gjitha gratë dhe do të mundohet të përmirësojë politikat sociale me fokus tek gratë dhe kategoritë e rrezikuara.

“Sot Mbulesa nuk është identiteti im i parë. Unë jam këtu për të përfaqësuar të gjitha gratë, qofshin ato me mbulesë apo pa mbulesë. Mirëpo, edhe prezantoj vlerat e mia reale, qofshin ato akademike, morale e etike. SOT ajo çfarë unë dua që të jem më e zëshme është fuqizimi i grave në shoqëri, të jem zëri i të gjitha atyre grave. Po ashtu, prioritet do t’i kem edhe zhvillimin e politikave sociale në vend”, u shpreh deputetja Saliu.