Dossier

Deputeti Avni Dehari dedikim për bashkëvendasin e tij Naim Ibrahimi: Njeriu që kurrë nuk njohu përkuljen dhe zmbrapsjen!

Shkruan: Avni Dehari

(Me rastin e ndarjes nga jeta sot të profesor Naim Ibrahimit, pishtar i arsimit dhe simbol i rezistencës antikomuniste në Kumanovë)

Lajmi për vdekjen e Naimit, përpos që pikëlloi pa masë zemrat e familjarëve: bashkëshortes, fëmijëve të tij, gjithë anëtarëve të familjes së ngushtë, të familjes së gjerë, dhe të mbarë farefisit, goditi si rrufe edhe zemrat e miqve të tij të shumtë gjithandej viseve tona.
Naimi u nda nga ne fizikisht, por jo edhe shpirtërisht. Shëmbëlltyra e tij si njeri me parime të larta, angazhimi i tij si atdhetar për zgjidhjen e çështjes kombëtare, puna e tij me përkushtim të madh si pedagog në paralelet me nxënës shqiptarë në gjimnazin e Kumanovës, janë vetëm disa nga vlerat sublime që mund t’ia kujtojmë këtij burri të madh në këto çaste dhembjeje e pikëllimi. Këto dhe vlerat e tjera njerëzore, me të cilat shquhej Naimi në çdo rrethanë dhe kudo që ishte, na ngushëllojnë ta përballojmë më lehtë dhembjen e pikëllimin që kemi për të dhe na bëjnë krenarë për kohën që e kemi njohur, që kemi jetuar e kemi bashkëvepruar me të.
Naimi u takon njerëzve të shquar që kanë dhënë gjithçka nga vetja e tyre për popull e për atdhe. Jeta që nuk vihej në shërbim të të drejtave njerëzore e kombëtare për Naimin nuk kishte kuptim. Shovinistët maqedonas, që nëpërkëmbnin dhe ndalonin gjuhën, historinë dhe kulturën tonë kombëtare, edhe pse e përndoqën politikisht, edhe pse e përjashtuan nga procesi mësimor, edhe pse e futën në burg për ta thyer edhe shpirtërisht, asnjëherë nuk ia dolën ta ligështonin, ta frikonin dhe ta detyronin të hiqte dorë nga përpjekjet për jetësimin e të drejtave kombëtare.
Rezistenca e mësimdhënësve dhe e nxënësve të paraleleve të gjimnazit të Kumanovës, ku punonte si pedagog Naim Ibrahimi, për mbrojtjen e shkollimit në gjuhën shqipe, sidomos në vitin 1981, kurrë nuk mund të paraqitet e plotë, siç ishte, pa e vlerësuar drejt ndihmesën e madhe që ka dhënë Naimi në suazat e saj.
Naimi ishte edukuar që çdoherë të qëndronte ballëlartë para armiqve të kombit tonë. Ai mbeti i tillë gjatë gjithë jetës. I tillë u nda fizikisht nga kjo jetë duke na e lënë pas vetes shëmbëlltyrën e njeriut që para interesave kombëtarë kurrë nuk njohu përkuljen dhe zmbrapsjen.
Lavdi jetës dhe veprës së Naim Ibrahimit!