Kolumna

Demonstratat e Kumanovës për arsimin shqip që dridhën Shkupin e Beogradin!

Vitet ikin, kujtimet
mbeten, historia me përplot gjurmë, gjurmë që rinisë tonë duhet kujtuar vuajtjet që përjetoi populli ynë, e të mos na përsëritet historia.

Shkruan: Etem Xheladini

Çdo herë Arsimi ishte mbi të gjitha!

DEMOSTRATA E KUMANOVËS DËSHMOJNË LUFTËN PËR MBROJTJEN E ARSIMIT E SHKOLLËS SHQIPE !

Demonstratat e 29 gushtit 1988 në Kumanovë, që u organizuan në mbrojtje të arsimit e shkollës shqipe, mund të themi se lanë gjurmë për një nga demostratat më të fuqishme të shekullit XX, brenda trojeve etnike shqiptare nën federatën ish-Jugosllave!

Kërkesat e kësaj demostrate ishin për mbrojtjen e arsimit shqip, e shkollës shqipe, kërkesë ku u bashkua e gjithë popullata e qytetit dhe fshatrave të Kumanovës e Likovës.
Kjo demostratë tërboi Shkupin e Beogradin, qendra të politikës prej nga buronte çdo e keqe e kohës!
Beogradi e Shkupi kishin dhënë urdhër që demostrata e 29 gushtit 1988 të shtypej me dhunë e me dënime të rënda!
Këto demonstrata e zbardhë politikën antishqiptare, politikën kundër arsimit shqip e shkollës shqipe, ku Kumanova ishte vendi ku po bëhej prova, eksperimenti i parë. Pas Kumanovës dhe qyteteve tjera shqiptare në Maqedoni, kjo politikë u zbatua në Kosovë.
Pas kësaj demostrate stacioni i policisë në Kumanovë dhe burgu i Kumanovës u mbushën plotë e përplotë me shqiptarë. Nga që nuk kishte më vend në burgun e Kumanovës, protestuesit u dërguan nëpër qytete tjera të Maqedonisë.
Duhet kujtuar sjelljet e policëve në Kumanovë e nëpër burgjet e stacionet policore të qyteteve tjera, ku kami dëshmi të shumta të arrestuarve e të burgosurve se qyshë policët bënin gara se cili do sillet më vrazhdë, e më shumë do të malltretonte qytetarët shqiptar që ishin në mbrojtje të arsimit shqip, dhe cili do të ofendonte me keq në baza kombëtare protestuesit shqiptarë pa zgjedhur se a ishin nxënës, studentë, arsimtarë, intelektual, bujqë.
Kjo sjellje tregonte frymën e vërtet të sistemit moniste antinjerëzore komuniste dhe urrejtjen kundër shqiptarëve ndër shekuj nga nacionalizmi sllavo-ortodoks.
Këto sjellje të këtyre policëve e inspektorëve demonstronin forcën duke përdorur dhunën më çnjerzore ndaj shqiptarëve.
Çdoher pushtetarët sllavë në vend të dialogut për kërkesat e shqiptarëve, po edhe këto për arsimin shqip, zgjidhnin rrugën e dhunës, pa kursyer nxënës, prindërër, e arsimtarët shqiptarë, që ngritnin zërin kundër padrejtësive e kundër ketyre masave të dhunshme, antiligjore, antikushtetuese, e antinjerzore, u perdorë aq dhunë e madhe sa që disa demostrues mbeten me pasoja gjatê tërë jetës së tyre, kurse disa vdiqën pak kohë pas vuajtjes së dënimit.
Për fund dua të them se heshtja e institucioneve dhe politikëbërsve shqiptar në pushtet, po edhe opozitë si dhe e sektorit civil për këto ngjarje, na bën me dije se këto ngjarje duhet shkuar në harresë, që lirishtë mund të themë se është më shumë se turp e mjerim.